Podgoricë – Deputeti i Listës Shqiptare, Genci Nimanbegu, është takuar në mjediset e Kuvendit të Malit të Zi me shefen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Malin e Zi, Oana-Cristina Popa.
Takimi është zhvilluar në kuadër të aktiviteteve politike që Ambasadorja Popa ka zhvilluar me përfaqësues të klubeve të deputetëve dhe listave zgjedhore.
Ajo e ka informuar deputetin Nimanbegu me prioritetet e punës që do të ketë Delegacioni i BE-së në Malin e Zi.
Në anën tjetër, deputeti Genci Nimanbegu e ka informuar Ambasadoren Popa në takimin e tyre të parë zyrtar me pikëpamjet e Listës Shqiptare në lidhje me tensionet në jetën politike të Malit të Zi, të cilat duhen marrë me shumë përgjegjësi, veçanërisht nga partitë politike që përfaqësojnë subjektet kryesore të shumicës, por edhe të opozitës në Mal të Zi.
Në kumtesën për media të Forcës së Re Demokratike thuhet se tema të diskutimit ishin tranzicioni politik i pushtetit, marrëdhëniet në Parlament, bashkëpunimi midis pozitës dhe opozitës në Kuvend, duke pasur parasysh prioritetet që i lidhin partitë politike, e që është integrimi në BE.
“Temë e bisedimit ishte gjithashtu edhe nevoja për të përforcuar dialogun, veçanërisht në miratimin e propozimeve ligjore që do të çonin në avancim dhe jo në prapambetje të Malit të Zi drejt rrugës evropiane”, thekson kumtesa.
Bashkëbiseduesit janë pajtuar që bojkotimi i punës së Kuvendit nuk është rrugë e mirë e punës, sidomos në raport me çështjet që kërkojnë shumicë të kualifikuar dhe kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe procesin zgjedhor.
Në takim është biseduar edhe për mospërfshirjen e përfaqësuesve të pakicave në pushtetin ekzekutiv, ligjet për media dhe çështje të shumta me interes për qytetarët e Malit të Zi.
Gjatë javës së shkuar, deputeti Genci Nimanbegu është takuar edhe me Ambasadoren e Republikës së Turqisë në Malin e Zi, Songul Ozan.
Ai e ka njohur Ambasadoren Ozan me situatën politike dhe sfidat aktuale në Malin e Zi.
“Situata në Mal të Zi është politikisht e vështirë dhe të gjithë pjesëmarrësit duhet të kontribuojnë në qetësimin e tensioneve. Lista Shqiptare është e përkushtuar të kontribuojë në vazhdimin e bashkëpunimit më të mirë me Turqinë dhe gjithashtu të mos rrezikojë rrugën Euro-Atlantike të Malit të Zi, e cila është në interesin më të mirë të qytetarëve të Malit të Zi dhe veçanërisht për komunitetet pakicë”, thekson kumtesa për media.
Ambasadorja e Turqisë ka deklaruar angazhimin për forcimin e marrëdhënieve të mira të Turqisë me Malin e Zi.
(Kohapress)
