Njëzëri kundër koncesionit

Guci – Këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Gucisë kanë votuar njëzëri kundër projektplanit të Qeverisë së Malit të Zi për dhënien e koncesionit për hulumtime detaje gjeologjike dhe shfrytëzimin e lëndëve të para minerale në guroren në lokalitetin Jerina në fshatin Martinaj.
Për këtë propozim përfundim kanë votuar të gjithë këshilltarët e pranishëm në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, gjegjësisht 25 këshilltarë të pozitës dhe opozitës nga 30 këshilltarë sa numëron gjithsej Kuvendi i Komunës së Gucisë.
Seanca e jashtëzakonshme është thirrur nga kryetari i Kuvendit të Komunës së Gucisë, Edvin Bektesheviq, pas takimit që ka zhvilluar me kryetarët e klubeve të këshilltarëve të subjekteve politike që janë të përfaqësuara në kuvend, ndërsa shkak është bërë informata shqetësuese mbi Projektplanin e dhënies së koncesionit për hulumtime të detajuara gjeologjike dhe shfrytëzimin e lëndës së parë minerale – gurthyesi në lokalitetin Jerina në fshatin Martinaj, i miratuar nga Qeveria e Malit të Zi, më 27 shkurt 2025 e që i është dërguar Komunës së Gucisë dhe në disa adresa të tjera.
Lidhur me këtë çështje, që ka qenë pika e vetme e rendit të ditës, është zhvilluar një debat i gjallë dhe dinamik, i cili ka zgjatur rreth katër orë. Më të zëshëm kanë qenë këshilltarët e opozitës – Forumit Shqiptar dhe PDS-së, të cilët diskutimet e veta emocionale i përqendruan në raportin e hollësishëm të kryetarit të Komunës së Gucisë, Sanell Balliq, i cili në elaborimin e vet disaminutësh përkitazi me informatën në fjalë parashtroi të dhëna mbi aktin e miratuar nga Qeveria e Malit të Zi.
“Është temë e ndjeshme, andaj opozita është orvatur të manipulojë me këtë çështje vërtet delikate. Ata nuk janë kundër Projektplanit për hulumtime detaje dhe shfrytëzim të lëndës së parë minerale, por ata momentalisht janë kundër qeverisë lokale dhe kryetarit të Komunës dhe kanë menduar të shfrytëzojnë këtë moment, siç thonë, të na i lëkundin fotelet”, është shprehur kryetari Balliq, duke shtuar se publikisht ka shprehur qëndrimin e vet dhe të shumicës që e mbështet se të gjithë janë kundër dhënies së koncesionit ngase punimet në atë lokacion nuk janë në interes të qytetarëve të Komunës së Gucisë për shumë arsye.
Më të zëshëm në deklarimet e veta kanë qenë këshilltarët e Forumit Shqiptar – Bujar Hasangjekaj, Hasnije Kukaj – Gjonbalaj e Sefedin Dedushaj, si dhe ata të PDS-së – Demir Bajroviq e Adell Damjanoviq, të cilët janë shprehur se kryetari i Komunës, Sanell Balliq, nuk ka qenë në nivelin e kryerjes së detyrës së vet, duke heshtur të njoftojë me kohë opinionin publik lidhur me këtë çështje vërtet shqetësuese e alarmante.
Edhe ca këshilltarë të subjekteve politike në qeverisjen lokale – Dr. Harisa Llalliçiq, Sheqo Gruda e Dino Mullamekiq dhe nënkryetari i Kuvendit të Komunës, Fadil Ulaj, kanë shprehur qëndrimet e veta mbi çështjen në fjalë duke mbështetur vlerësimet e kryetarit Balliq.
Para fillimit të seancës është verifikuar mandati i këshilltares së re, Arbenita Vukaj, sipas radhës në listën zgjedhore të grupit të zgjedhësve “Lëvizja për Gucinë”, e cila në këtë pozicion zëvendëson këshilltarin e kësaj liste zgjedhore, Asdren Çelaj, i cili ka dhënë dorëheqje nga pozita e këshilltarit për shkak të emërimit nënkryetar i Komunës së Gucisë.
Në këtë seancë është vendosur që procesverbali nga seanca e tretë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Gucisë, e mbajtur më 30 dhjetor 2024, të shqyrtohet dhe miratohet në seancën e rregullt të radhës.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat