Shqipëria ka bërë një hap tjetër të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ajo ka hapur më 16 shtator 2025 edhe katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në Konferencën e 6-të Ndërqeveritare me BE-në.
Grupkapitulli 4 përfshin fusha kyçe si tranzicioni i gjelbër, mbrojtja e mjedisit, energjia e pastër, ndërlidhja e qëndrueshme e transportit, të cilat janë në qendër të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe prioriteteve strategjike të BE-së.
Në fjalën e tij nga Brukseli, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është shprehur se kanë mbetur vetëm pesë grupkapituj për t’u hapur.
Ndërkohë komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se të gjithë grupkapitujt priten të hapen deri në fund të vitit, siç edhe është plani.
“E mbështes planin tuaj për të mbyllur negociatat në vitin 2027 dhe për t’ju pasur në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Mbresëlënës përkushtimi juaj dhe i ekipit shqiptar që po ecën mirë.
Urime edhe një herë, është një nder”, ka thënë ajo.
Shqipëria konsiderohet si vendi që ka bërë viteve të fundit përparimin më të madh nga shtetet e Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa Mali i Zi, i cilësuar vazhdimisht si udhëheqës në këtë proces ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, ka ngecur viteve të fundit, veçanërisht prej ardhjes në pushtet të qeverisë aktuale.
(Kohapress)
