Plavë – Në prani të një numri të madh të adhuruesve të artit dhe kulturës, artistëve, përfaqësuesve të pushteteve vendore në Plavë dhe Guci etj., të hënën në Plavë është bërë hapja solemne e Galerisë së Arteve, që mban emrin e këtij qyteti.
Galeria “Plavë” është hapur me nismën e piktores Kaltrina Hoti dhe mbështetjen e familjes së Almir Pejçinoviqit, i cili ka ofruar mjediset për galerinë. Objekti i përshtatur për galeri të arteve ndodhet në rrugën kryesore të Plavës, mu në qendër të këtij qyteti.
Nismëtarja për hapjen e kësaj galerie, piktorja Kaltrina Hoti, ka thënë në fjalën e saj, në hapje të galerisë, se dashuria për vendin mund të tregohet duke sakrifikuar interesat personale për të mirën e shumicës.
“Kështu arrihet përparimi, kur njerëzit bashkohen… Këtë sot e ka treguar familja Pejçinoviq, e cila na ka sjellë të gjithë neve një dhuratë të madhe për Plavën, që domethënë dhuratë për gjeneratën e re”, është shprehur ajo.
Piktorja ka theksuar se galeritë artistike zënë, pa dyshim, vend të posaçëm në shoqërinë e sotme.
“Kjo pjesë e Plavës dhe Gucisë ka aq shumë artistë, saqë kur jam kthyer jam çuditur se si kanë mundur të jenë nën hije si artistë. Sot Plava e ka galerinë, ku do të jemi në gjendje të ushqejmë edhe zemrën tonë, të jemi njerëz në kuptimin e plotë të fjalës”, ka thënë ajo.
Hoti ka thënë se Plava e meriton të ketë galerinë e arteve, sepse përpos bukurive që e karakterizojnë këtë pjesë të veriut të Malit të Zi, duhet të tregojnë edhe se janë njerëz inteligjentë.
Në hapjen solemne të galerisë shiritin e kanë prerë piktori i njohur vendas, Hilmo Feratoviq, dhe njëri ndër pinjollët e familjes Pejçinoviq.
Me këtë rast është hapur ekspozita kolektive e 14 piktorëve nga Plava, Gucia, Andrijevica, Malësia dhe Ulqini (Ibrahim Rekoviq, Ismet Çekiq, Hilmo Feratoviq, Kaltrina Hoti, Belkisa Bektesheviq, Arijeta Luceviq, Sllobodan Dimitrijeviq, Agron Ujkashi, Monika Dukaj, Rajko Rajkoviq, Rasim Muminoviq, Senadin Pupoviq, Fitore Hakaj, Ena Çekiq), ku janë prezantuar 67 vepra të tyre, të realizuara në teknika të ndryshme.
Sipas organizatorëve, qëllimi i kësaj ngjarjeje është që të promovohen potencialet turistike të veriut të Malit të Zi, në radhë të parë bukuritë natyrore të Plavës, dhe talenti i artistëve nga këto anë, por edhe që njerëzit tanë të mos ikin në botë, por të vijnë në vendlindjen e tyre dhe të tregojnë të gjitha vlerat e tyre.
Hapja e Galerisë së Arteve në Plavë është cilësuar si një ndër ngjarjet më me rëndësi në fushën e kulturës, që ka ndodhur në Plavë viteve të fundit.
i. k.
