Senatori republikan Ron Xhohnson i cili po viziton Malin e Zi, në krye të një delegacioni të senatit amerikan e uroi kryeministrin e vendit, Dushko Markoviq, për rezultatet e arritura dhe për guximin e treguar si lider i vendit.
“Mali i Zi është shembull i frymëzimit për shtetet e tjera”, tha senatori amerikan Ron Xhonson në një takim me kryeministrin Markoviq.
Ron Xhonson po kryeson një grup senatorësh amerikanë, të cilët prej të hënës po qëndrojnë në Mal të Zi dhe po njihen me zhvillimet ekonomike dhe politike të vendit ballkanik.
Siç bën të ditur zyra e kryeministrisë, duke folur për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, kryeministri Markoviq vuri në dukje se “objektivi do të ishte i paarritshëm pa mbështetjen e fuqishme të SHBA-se si në aspektin politik, ashtu edhe në forcimin e demokracisë dhe të institucioneve të saj”.
Kryeministri Markoviq shfaqi gatishmërinë e Malit të Zi “për t’i respektuar të gjitha detyrimet që dalin nga anëtarësimi i vendit në NATO, duke vlerësuar se ky do të jetë investimi më i rëndësishëm për të ardhmen dhe sigurinë e vendit”.
Kryeministri Markoviq ritheksoi rëndësinë e pranisë së fuqishme të SHBA-së në Europë dhe rajon. a.s.