Nimanbegu kërkon mbështetje për financimin dhe menaxhimin e Kripores së Ulqinit

Ulqin – Shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Kristina Popa ka vizituar të premten (21 qershor 2024) komunën e Ulqinit, ku është pritur nga kryetari Genci Nimanbegu me bashkëpunëtorët e tij.
Në deklaratën për shtyp të zyrës së kryetarit të Komunës së Ulqinit thuhet se kryetari Nimanbegu e ka njoftuar Ambasadoren e BE-së me gjendjen dhe problemet me të cilat ballafaqohet Komuna e Ulqinit, duke nënvizuar centralizimin e kompetencave nga pushteti qendror, mungesën e investimeve kapitale nga buxheti kapital shtetëror dhe problemet e shumta që lidhen me territorin që menaxhohet nga “Të Mirat Detare”.
“Një rëndësi të veçantë kryetari Nimanbegu i kushtoi Kripores së Ulqinit, e cila funksionon si Park i Natyrës. Ai kërkoi mbështetje nga Ambasadorja Popa që të gjejmë një model sa më të mirë për financim dhe menaxhim ndërmjet BE-së, Qeverisë dhe Komunës si pasuri e përbashkët natyrore”, thekson deklarata.
Nga ana e saj, Ambasadorja Popa e ka falënderuar Nimanbegun për mikpritjen dhe e ka përgëzuar për detyrën e re.
Ajo ka potencuar rëndësinë e momentit në të cilin ndodhet Mali i Zi sa i përket integrimeve evropiane, duke theksuar se duhet të shfrytëzohet sa më shumë nëpërmjet projekteve.
Në vazhdim të vizitës së saj në Ulqin, Ambasadorja Popa ka vizituar Muzeun e Ulqinit në Kala, ku është njohur me realizimin e projektit të financuar nga fondet e BE-së nëpërmjet programit të bashkëpunimit ndërkufitar, i ideuar nga Zyra për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, e cila funksionon pranë kabinetit të kryetarit të Komunës së Ulqinit.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat