Nik Gjeloshaj riemërohet kryetar

Tuz – Alternative Shqiptare mbajti të dielën (6 maj 2023) në Tuz, Kuvendin e Katërt Zgjedhor, në prani të mbi dyqind e njëzetë delegatëve, të miqve dhe mysafirëve të kësaj partie politike, të ardhur nga të gjitha viset shqiptare nga Mali i Zi dhe rajoni.
Në fillim, duke përshëndetur këtë kuvend dhe të gjithë të pranishmit, z. Robert Camaj që e moderoi kuvendin, theksoi se Alternativa Shqiptare e formuar gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, ka lindur si nevojë e organizimit dhe angazhimit për çështjen e zvarritur të Komunës së Tuzit e cila, siç tha, për shumë vjet e la peng zhvillimin dhe ardhmërinë e Malësisë.
“Me arritjen e Komunës së plotë, Alternativa Shqiptare nuk e la popullin e vet pa çështje, por iu përvesh punës dhe zhvillimit të trevave dhe integrimit të shqiptarëve gjithandej në vend, duke u shndërruar nga parti lokale në subjekt të të gjitha trevave, frymës, energjisë, avancimit dhe vënies në pah të nevojave të shqiptarëve të lënë pas dore e të neglizhuar me vite e dekada”, u shpreh në mes tjerash Camaj, duke theksuar se Alternativa Shqiptare bashkoi rreth vetes shumë lëvizje dhe subjekte të tjera politike shqiptare, për t’i bërë shqiptarët në Mal të Zi më unikë.
Kryetari i Alternativës Shqiptare i cili hapi zyrtarisht Kuvendin e Katërt Zgjedhor të kësaj partie, Nik Gjeloshaj, njëherësh kryetar i Komunës së Tuzit, theksoi se në këtë kuvend zgjedhor marrin pjesë mysafirë të të gjitha etnive dhe konfesioneve që jetojnë në Mal të Zi.
“Dhe kjo e vërteton misionin tonë që aty ku jetojnë shqiptarët, aty mbretëron harmonia dhe toleranca ndërfetare dhe ndëretnike. Shqiptarët autoktonë të përfaqësuar fuqishëm edhe përmes Forumit Shqiptar dhe Alternativës Shqiptare, kanë dëshmuar se punojnë dhe veprojnë në dobi të çdo qytetari, pa dallim përkatësie. Dëshmia më e mirë për këtë është administrata e Komunës së Tuzit e cila është model i mirëqeverisjes në vend dhe rajon”, u shpreh Gjeloshaj.
Ai ndër të tjera vuri në dukje bashkimin e tri subjekteve të tjera politike shqiptare të cilat aderuan në Alternativën Shqiptare, katër vjet më parë.
“Kuvendi i sotëm është kuvend i zhvillimit, kuvend i prosperitetit, kuvend i avancimit, kuvend i faktorizimit, mirëpo edhe i realizimit të sukseseve. Kuvendi i Alternativës Shqiptare jo rastësisht u bë më 6 maj, me këto vizione bashkimi e zhvillimi. Sot është datëlindja e kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut që unifikon shqiptarët”, tha ndër të tjera Gjeloshaj.
Ndërkaq, këtë kuvend zgjedhor në mes tjerësh e përshëndeti edhe kryeministri në mandatin teknik i Qeverisë së Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq, i cili tha se për të ka qenë privilegj që të bashkëpunojë me Alternativën Shqiptare, jo vetëm në aspektin e punës në ekzekutiv dhe në një relacion me Komunën e Tuzit, por në përgjithësi. Kjo parti sipas tij ka një kuptim politik totalisht ndryshe prej asaj që ka qenë në të kaluarën.
“Këta janë njerëz me vizion që e kanë të qartë se çfarë janë qëllimet e popullit shqiptar, e kanë të qartë se çfarë janë qëllimet e Malësisë, të popujve të tjerë që jetojnë në Mal të Zi dhe janë njerëz që me të vërtetë ka qenë privilegj që të bashkëpunoj”, tha Abazoviq.
Ai më tutje vazhdoi fjalën e tij duke potencuar të arriturat dhe zhvillimin që ka ndodhur në Malësi në të gjithë sektorët, por edhe bashkëpunimin e mirë të qeverisë që ai drejton me Komunën e Tuzit, e veçanërisht me ministrin e Administratës Publike që vjen nga Alternativa Shqiptare, Marash Dukajn.
“Jam shumë i lumtur që më në fund partitë shqiptare nuk janë vetëm dekor në pushtet, por janë faktor të cilat dëshmojnë se ekzistojnë njerëz të cilët janë të gatshëm që të bashkëpunojnë për të mirën e të gjithë qytetarëve në Mal të Zi”, u shpreh kryeministri Dr. Dritan Abazoviq.
Në këtë kuvend zgjedhor me votat e mbi dyqind e njëzetë delegatëve, për kryetar të partisë së Alternativës Shqiptare edhe për katër vitet e ardhshme u rizgjodh z. Nik Gjeloshaj.
Në këtë kuvend u miratua statuti dhe programi politik i Alternativës Shqiptare, u zgjodh këshilli qendror si dhe komisioni statutor dhe këshilli mbikëqyrës.
Në mesin e të pranishmëve në këtë kuvend, ishin edhe znj. Elisa Spiropali, drejtuese politike e Partisë Socialiste për Shkodrën dhe ministre e shtetit për marrëdhënie në kuvend, Tonin Marinaj, kryetar i Bashkisë Malësi e Madhe, Ivan Vujoviq, sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialdemokrate, Aleksandër Bogdanoviq, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Socialistëve, si dhe përfaqësues të tjerë të partive politike nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat