Ulqin – Komuna e Ulqinit dhe firma projektuese “Marecon” nga Rijeka kanë prezantuar të enjten (6 shkurt 2025) studimin e fizibilitetit të portit në lagjen Lima të Ulqinit.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu e ka cilësuar këtë si një ngjarje historike për këtë qytet, pasi që, sipas tij, “ky është dokumenti i parë zyrtar i përgatitur nga Komuna e Ulqinit, duke hapur rrugën për hartimin e projektit kryesor për portin në Lima”.
Ndërkaq përfaqësuesi i firmës “Marecon”, Ivan Zhigo, ka shpjeguar se porti në Lima është konceptuar për të pasur mbi 400 lidhje, si dhe një sërë objektesh përcjellëse, duke përmbushur të gjitha kërkesat e turizmit nautik.
Në postimin në faqen zyrtare të Komunës së Ulqinit në Facebook thuhet se “duke pasur parasysh historinë tonë të lavdishme detare dhe potencialet natyrore të qytetit tonë, Komuna e Ulqinit ka zhvilluar një sërë takimesh me Bankën Botërore dhe është drejt finalizimit të marrëveshjes për fillimin e ndërtimit të Portit të Gjeranave. Gjithashtu, është nënshkruar vendimi për zgjerimin dhe modernizimin e Mendreqit në Plazhin e Vogël, si dhe është përfunduar studimi i fizibilitetit për Portin në Lima”.
Më tej në postim shkruan se “nënshkrimi i protokollit për kthimin e sheshit në Kalanë e qytetit, themelimi i Muzeut të Detarisë dhe hapja e Shkollës së Detarisë do të plotësojnë mozaikun tonë të detarisë dhe qytetarisë, të trashëguar me shekuj”.
Prezantimi i studimit të fizibilitetit është bërë në sallën e konferencave të Hotelit “Plaza” në Ranë, në prani të një numri të madh të qytetarëve nga fusha të ndryshme të jetës publike
të komunës së Ulqinit dhe më gjerë.
(Kohapress)
Nimanbegu përshëndet vendimin e Qeverisë së Malit të Zi për objektet e përkohshme në zonën e të mirave detare
Qeveria e Malit të Zi nuk e ka miratuar vendimin për planin e objekteve të përkohshme në zonën e të mirave detare.
Ky vendim i Qeverisë së Malit të Zi është përshëndetur nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i cili e ka vlerësuar si thelbësor për të ardhmen e objekteve të përkohshme në zonën e të mirave detare, veçanërisht në kontekstin e të drejtave të komunave bregdetare për të menaxhuar territorin e tyre.
“Unë besoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të respektohen interesat legjitime të të gjitha komunave, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë zhvillim të qëndrueshëm dhe të drejtë”, ka theksuar ai në reagimin e tij.
Sipas tij, një nga qëllimet kryesore në këtë proces është përgatitja adekuate e sezonit turistik, e cila nuk duhet të rrezikohet nga planifikimi i dobët i politikave publike.
“Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e ekonomisë së Komunës së Ulqinit, e cila në masë të madhe mbështetet në turizëm dhe e cila, përndryshe, do të përballej me sfida të mëdha”, ka thënë Nimanbegu, duke shtuar se në periudhën e mëparshme kanë bërë përpjekje për të hapur dialog me Ministrinë e Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, si dhe me Ndërmarrjen Publike për Menaxhimin e Të Mirave Detare.
“Qëllimi ynë ishte të gjenim një zgjidhje kompromisi lidhur me qiranë dhe të siguronim një marrëdhënie të drejtë midis institucioneve shtetërore dhe ekonomisë lokale”, ka theksuar ai, duke potencuar rëndësinë e takimit të zhvilluar para disa kohësh në Komunën e Ulqinit, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të ministrisë përgjegjëse, NP “Të Mirat Detare” dhe të qiramarrësve të plazheve në Ulqin.
Ai ka falënderuar të gjithë që kanë kontribuar në vendimin e Qeverisë së Malit të Zi duke parandaluar pasojat potencialisht negative për sezonin turistik.
“Tani kemi para nesh hapin tjetër të rëndësishëm – miratimin e Ligjit të ri për Të Mirat Detare në Kuvendin e Malit të Zi. Miratimi i këtij ligji do të korrigjonte padrejtësinë shumëvjeçare ndaj komunave bregdetare dhe do t’u mundësonte atyre një pjesëmarrje më të madhe në menaxhimin e burimeve të tyre”, ka përfunduar Nimanbegu.