Prishtinë – Deputeti i Listës Shqiptare, Genci Nimanbegu, u takua të premten në Prishtinë me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Në deklaratën për shtyp të zyrës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës thuhet se në takim është diskutuar për zhvillimet politike, me theks të veçantë rolin konstruktiv të subjekteve politike shqiptare në shërbim të stabilitetit dhe bashkëjetesës harmonike në Mal të Zi.
“Kryetari Konjufca vuri në dukje marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, si dy shtete bashkërrugëtuese drejt integrimit evropian, dhe shtoi se komuniteti shqiptar atje ka shërbyer gjithnjë si urë lidhëse ndërmjet dy vendeve tona. Po ashtu tha se Kosova është shtëpi edhe e shqiptarëve të Malit të Zi, sepse kontributi i tyre përgjatë historisë për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë ishte jashtëzakonisht i madh”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se në takim u theksua nevoja e koordinimit më të mirë të faktorit politik shqiptar dhe bashkëpunimit më të ngushtë në të ardhmen.
Ndërkaq, në një postim në rrjetin social facebook, deputeti Nimanbegu ka thënë se takimi ishte pjesë e nismës me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit me institucionet dhe kolegët nga rajoni përmes takimeve dhe konsultimeve të rregullta.
“Temat, por edhe qëndrimet tona të përbashkëta janë të shumta, si në pjesën e synimeve drejt BE-së dhe partnerëtve evroatlantikë. Sfidat në të dy vendet për ngritjen e shtetit të së drejtës me fokus në kërkesat shumëvjeçare të politikës shqiptare në Mal të Zi mbizotëruan bisedën gjatë takimit miqësor. Lista Shqiptare është tejet e interesuar që marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve fqinje sovrane të mos cenohen, por të kenë progres të vazhdueshëm”, ka shkruar ai.
Sipas Nimanbegut, në takim është biseduar sidomos për nevojën e ndërtimit të infrastrukturës së re rrugore ndërmjet dy shteteve, me theks të veçantë në rrugën Deçan – Plavë.
Në takim është folur po ashtu edhe për situatën aktuale në Mal të Zi dhe Kosovë.
Deputeti Nimanbegu shoqërohej në këtë takim nga përfaqësuesit e Listës Shqiptare, Bujar Hasangjekaj, Sabri Salaj dhe Arbin Çapriqi.
(Kohapress)
