Plavë/Guci – Zëvendësministri për Zhvillim rajonal në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ali Tafarshiku, më 13 dhe 14 shkurt 2024, qëndroi në vizitë zyrtare Komunës së Plavës dhe Gucisë. Atë në kabinetet e veta e pritën dhe i dëshiruan mirëseardhje kryetarët e komunave në fjalë, Nihad Canoviq (i Komunës së Plavës) dhe Sanell Balliq (i Komunës së Gucisë), me bashkëpunëtorët e vet.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, mysafirin e lartë nga Kosova – bashkëbiseduesin Ali Tafarshiku, e ka njoftuar mbi dinamikën e projektimi të rrugës, e cila do ta lidhë Plavën dhe Deçanin, aksin rrugor që dukshëm do t’i kontribuojë avancimit dhe zhvillimit ekonomik të rajonit kufitar ndërshtetëror – Malit të Zi dhe Kosovës. Në fjalën e rastit, kryetari Canoviq ka theksuar se ky projekt ka potencial për hapjen e perspektivave të reja për banorët lokalë dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe ka shprehur pritjen që edhe nga ana e Kosovës të vazhdojnë me realizimin e punimeve.
Pos kësaj, palët në takim kanë shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit me IPA projektet, të cilat paraqesin element të rëndësishëm në avancimin e zhvillimit rajonal dhe të infrastrukturës në territorin kufitar. Këto projekte mundësojnë hyrjen e mjeteve të Bashkimit Evropian, për realizimin e programeve dhe nismave të ndryshme që i kontribuojnë modernizimit dhe zhvillimit të bashkësive në të dy anët e kufirit.
Në takimin dypalësh konstruktiv kanë qenë të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Plavës, Allen Balliq, dhe kryeadministratori i Komunës, Adnan Shaboviq.
Ndërkaq, një ditë më pas, kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq, bashkëbiseduesin nga Kosova, zotërinë Ali Tafarshiku, e ka njoftuar me shanset zhvillimore të Komunës së Gucisë, me projektet e mundshme për bashkëpunim, si dhe ftesa të reja të Bashkimit Evropian, të cilat duhet të jenë të shpallura gjatë muajit mars të këtij viti, me theks në zhvillim rajonal dhe bashkëpunim si dhe krijim të supozimeve për zhvillim të shpejtuar.
Në takim është folur edhe mbi rrugën Guci-Plavë-Deçan, si dhe për aksin e vjetër rrugor Murinë-Çakorr-Pejë. Këto akse rrugore padyshim, hapin perspektivë të re në zhvillimin e kësaj ane, me vështrim të posaçëm në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme e njëkohësisht edhe rastit për hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe të zhvillimit socio-ekonomik të Komunës së Gucisë.
Mysafiri i lartë nga Kosova, Ali Tafarshiku, kryetarin e Komunës së Gucisë, Sanell Balliqin, e ka njoftuar mbi projektet në të cilat është i mundshëm bashkëpunimi i ndërsjellë dhe ka shprehur gatishmërinë për shkëmbim të përvojës dhe praktikave të mira në lëmin e turizmit dhe bujqësisë.
Në takimin në fjalë, kanë qenë të pranishëm: nënkryetari i Komunës Edon Balidemaj, sekretari për Punë Inspektuese Shaban Prelvukaj dhe këshillëdhënësi i kryetarit të komunës Refik Piroviq.
Shaban Hasangjekaj