Guci – Sekretari shtetëror i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave në Qeverinë e Malit të Zi në mandatin teknik, Salih A. Gjonbalaj, të premten më 27 janar 2023, qëndroi në vizitë zyrtare në Komunën e Gucisë të cilin në rezidencën e Komunës e pritën dhe i dëshiruan mirëseardhje përfaqësuesit e stafit punëdrejtues të Komunës së Gucisë – kryetarja e Komunës, Anella Çekiq, kryetari i Kuvendit të Komunës, Bujar Hasangjekaj me bashkëpunëtorë.
Në takimin dypalësh është biseduar mbi aktualitetet dhe çështjet e hapura që janë në kompetencë të Ministrisë në fjalë, si dhe mbi gjendjen dhe situatën e krijuar si pasojë dhe rrjedhojë e fatkeqësive elementare natyrore (përmbytjeve e vërshimeve te përrenjve e lumenjve, rrëshqitjeve e rrokullisjeve të dheut e gurëve, dëmeve të dukshme të shkaktuara fermerëve bujqësor e blegtoral) në territorin e Komunës së Gucisë.
Në takimin konstruktiv menxhuesit e stafit drejtues të komunës, sekretarin Gjonbalaj e njoftuan me sfidat esenciale dhe kryesore me të cilat ballafaqohen prodhuesit bujqësor e blegtoral nga treva e komunës, si dhe me projektet prioritare të infrastrukturës që impulësojnë zhvillimin dhe avancimin e bujqësisë dhe blegtorisë në këtë komunë. Pas takimit bashkëbiseduesit vizituan ca lokalitete të goditura nga fatkeqësitë elementare natyrore.
Sekretari Salih A. Gjonbalaj, në fjalën e rastit ndër të tjera theksoi se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave në Qeverinë e Malit të Zi në mandat teknik, është plotësisht e përkushtuar për zhvillimin dhe avancimin e bujqësisë dhe shfrytëzimin e potencialeve ekzistuese në komunat e Veriut të Malit të Zi, duke konfirmuar se zhvillimi i viseve rurale dhe bujqësia në trevën e tyre është një nga potencialet zhvillimore edhe për Komunën e Gucisë. Në vazhdim të elaborimit të vet, sekretari Gjonbalaj bëri me dije se ministria në fjalë është e vendosur në përpjekjet e saj që në mbështetje të qeverisë të cilës i përket, varësisht nga mundësitë e veta, do t’i mbështesë prodhuesit bujqësor e blegtoral në zonat vunerabël të komunave të prekura e dëmtuara nga fatkeqësitë elementare kohë më parë.
Shaban Hasangjekaj
