Në vizitë njëditëshe Komunës së Gucisë

Guci – Delegacioni tre anëtarësh i Kuvendit të shtetit të Nju Jorkut në përbërje: Kamillah Hanks, David Carr dhe Charles Fall, të mërkurën më 31 korrik 2024, qëndruan në vizitë njëditëshe Komunës së Gucisë, me ç’rast së pari me prezencat e veta përjetuan ceremonialin e manifestimit tradicional “Ditët e diasporës” në luginën e Grebajës, në të cilin edhe këtë vit ishin të pranishëm disa qindra mërgimtarë gucianë në diasporë, kryesisht në SHBA, të cilët në muajt e verës kanë ardhur që pushimet vjetore bashkë me familje t’i kalojnë në vendlindje.
Delegacioni në fjalë, pastaj ka vizituar Komunën e Gucisë, me ç’rast në rezidencën e vet i ka pritur dhe u ka uruar mirëseardhje kryetari i Komunës, Sanell Balliq, me bashkëpunëtorë. Vizita është bërë në kuadër të aktivitetit studiues, të organizuar nëpërmjet Konsullatës së përgjithshme të Malit të Zi në Nju Jork në krye me konsullin Armen Cikotiq. Në takimin në fjalë ka qenë i pranishëm edhe ministri i posa emëruar për diasporë në Qeverinë e Mali të Zi, Mirsad Azemoviq.
Kryetari Balliq gjatë takimit me mysafirët e lartë të Kuvendit të shtetit të Nju Jorkut, në mënyrë koncize dhe analitike e konstruktive ka prezantuar marrëdhënien e Komunës së Gucisë me diasporën, aktivitetet dhe projektet, të cilët i ka njoftuar me resurset e Komunës dhe me bukuritë natyrore të cilat e stolisin (zbukurojnë e hijeshojnë) këtë anë.
“Njerëzit tonë në diasporë janë ambasadorët tanë. Më gëzon e dhëna se edhe shteti i Nju Jorkut ka njohur rolin dhe rëndësinë e njerëzve tanë, të cilët pa kurrfarë interesi, janë të inkuadruar në të gjitha segmentet, si në arsim, biznes e sport, po ashtu edhe në aktivitetet humanitare dhe në atë mënyrë japin kontribute të mëdha në bashkësitë në të cilat jetojnë dh punojnë”, është shprehur me admirim në fund të prononcimit të vet në takimin me anëtarët e delegacionit të Kuvendit të shtetit të Nju Jorkut, kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat