Podgoricë – Në qytetin e Ulqinit pritet që së shpejti të hapet Konsullata e Republikës së Shqipërisë, kështu ka njoftuar ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto gjatë takimit të zhvilluar para pak ditësh në Podgoricë me ministrin e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka.
Në këtë takim është thënë se Mali i Zi dhe Shqipëria mbajnë marrëdhënie miqësore dhe konstruktive, ndërsa ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka ka shprehur kënaqësi që ambasadorja Peto e ka vizituar dhe që kanë pasur rastin që të bisedojnë për çështjet aktuale dhe për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal, në fushën e avancimit të drejtave dhe lirive të pakicave.
“Ministri e ka njoftuar ambasadoren me kompetencat e dikasterit të cilin e udhëheq dhe për sfidat të cilat pasojnë në periudhën në vazhdim. Për realizimin e të drejtave të njeriut nevojitet që të ndërmerren masa gjithëpërfshirëse, para së gjithash, në nivelin institucional është e domosdoshme që të punohet në fuqizimin e kornizës ligjore me të cilin garantohen të drejtat e njeriut dhe pakicave” është shprehur ministri, Gjeka.
Ndërkaq, të dy zyrtarët, Gjeka dhe Peto kanë vlerësuar se integrimet evropiane ofrojnë kornizë për avancimin e të drejtave të njeriut, duke kyçur të drejtat e pakicave.
Gjithashtu, në këtë takim është vënë theksi në përkushtimin e përbashkët për zhvillimin e projekteve konkrete të cilat synojnë pjesëmarrjen aktive të pakicave në jetën publike.
Në të njëjtën kohë, ata biseduan për promovimin e të drejtave dhe integrimin e pakicave, forcimin e bashkëpunimit ndërkulturor dhe zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse, për një shoqëri më të barabartë.
t. u.