Në plan vazhdimi i ndërtimit të rrugës për Ulqin

Projekti infrastrukturor Shëngjin – Velipojë është një investim strategjik mjaft i rëndësishëm i qeverisë së Shqipërisë me vlerë 3.8 miliardë lekë.
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci, u shpreh të martën në prezantimin e këtij projekti në Lezhë se rruga shkrurtohet në vetëm 14.8 kilometra.
“Sot për të përshkuar rrugën nga Shëngjini në Velipojë, duhen kaluar 66 kilometra për 1 orë e 20 minuta dhe duhen kaluar katër akse të ndryshme rrugore. Me investimin prej 3.8 miliardë lekësh, shkurtohet distanca në vetëm 14.8 kilometra dhe rruga mund të përshkohet për 19 minuta”, tha ai.
Beci ka përshkruar edhe veçoritë e rrugës së re.
“Nga Porti i Shëngjinit rruga i ngjitet shpatit me një lartësi 100-120 metra mbi nivelin e detit dhe ruan të paprekur plazhin e Shëngjinit, Ranën e Hedhun dhe plazhet e tjera të zonës. Kjo rrugë është tejet panoramike. Më pas lidhet me infrastrukturën e Velipojës”, ka thënë ai.
Kjo rrugë, sipas Becit, do të bëjë gjithashtu lidhjen e dy qendrave kryesore turistike.
“Rruga Shëngjin – Velipojë do të vazhdojë deri në Pulaj në grykëderdhjen e Bunës për të hapur rrugën deri në Ulqin. Po shohim mundësinë për një bashkëpunim me Malin e Zi për një cross-border dhe hapjen e portave të turizmit deri në Shëngjin”, u shpreh ai.
Ndërtimi i rrugës Shëngjin – Velipojë pritet t’i hapë rrugë vazhdimit të ndërtimit të rrugës për Ulqin, e cila do të lidhte dhe afronte akoma më shumë këtë qytet dhe Malin e Zi me Tiranën dhe qendrat tjera në Shqipëri, Kosovë dhe rajon.
(Kohapress/Koha Net)

Të fundit

më të lexuarat