Tiranë – Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj është takuar në Tiranë javën e kaluar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ata, siç është njoftuar nga Komuna e Tuzit, kanë biseduar për bashkëpunim dhe bashkëveprim institucional në mes të Komunës së Tuzit dhe qeverisë shqiptare, ndërsa në fokus të bisedimeve ka qenë sektori i kulturës.
“Në takim ishin edhe drejtuesit e kulturës nga komuna jonë dhe nga zyra e kryeministrit, gjegjësisht nga Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë. Kryeministri Rama, si gjithmonë shprehu përkrahjen për Komunën e Tuzit dhe për mua si drejtues të saj”, është shprehur kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.
Ai më tutje ka njoftuar se në takim ka prezantuar sukseset e arritura të komunës, bashkëpunimin e mirë mes të subjekteve shqiptare në Tuz dhe nevojën e vazhdimit të të qëndruarit bashkë në proceset e ardhshme.
“Biseduam edhe për situatën aktuale politike në Mal të Zi dhe ia shpjegova kryeministrit trendet nga disa politikëbërës dhe qarqe të cilët mundohen që problemet dhe frustrimet e veta t’ia adresojnë Shqipërisë dhe atij si kryeministër”, ka thënë Gjeloshaj në njoftimin për opinion.
Më tej, siç njoftohet, në fund të takimit kryeministrit Rama, Gjeloshaj i ka dhuruar Monografinë “Maestro- Gjelosh Gjokaj”, botim i Komunës së Tuzit, pasi Gjeloshi ishte mik i ngushtë i tij.
“Kryeministri Rama propozoi që bashkë me Komunën e Tuzit të financojmë projektin që shtëpia e Gjelosh Gjokajt të bëhet rezidencë artistësh nga rajoni dhe bota. Në takim nga Komuna e Tuzit ishin edhe Marina Ujkaj, sekretare e Sekretariatit per Vetëqeverisje Lokale dhe Besa Nikaj, këshilltare në Kuvend dhe në Sekretariatin për Vetëqeverisje Lokale”, është shprehur Gjeloshaj.
t. u.
