Në fokus forcimi i të drejtave të pakicave

Përmirësimi i bashkëpunimit të ndërsjellë, sfidat aktuale me të cilat përballen komunitetet pakicë dhe këshillat e tyre, por edhe aktivitetet e planifikuara të Ministrisë me qëllim forcimin e të drejtave dhe pozitës së popujve pakicë në Mal të Zi, ishin në fokus të takimit të ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka me përfaqësuesit e këshillave të popujve pakicë dhe të bashkësive të tjera kombëtare pakicë në Mal të Zi.
Siç njoftohet nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, në mënyrë të veçantë është theksuar rëndësia e nisjes së një nisme për ndryshimin e Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të tij dhe përafrimin me legjislacionin ndërkombëtar.
“Pjesëmarrësit në takim u pajtuan se është e rëndësishme që në procesin e hartimit të ndryshimeve dhe plotësimeve të ligjit ekzistues të përfshihen të gjithë aktorët relevantë, në mënyrë që puna në përmirësimin e tekstit aktual të ligjit të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe t’u përgjigjet nevojave reale të komuniteteve pakicë në Mal të Zi”, njoftojnë nga kjo ministri.
Më tej, ministri Gjeka ka theksuar rëndësinë e dialogut të hapur dhe të komunikimit të vazhdueshëm me këshillat e popujve pakicë dhe të bashkësive të tjera kombëtare pakicë, duke thënë se Ministria do të vazhdojë të jetë një partner i besueshëm në realizimin e objektivave të përbashkëta.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat