Podgoricë – Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, qëndroi për një vizitë zyrtare dyditore në Mal të Zi, më 16 dhe 17 janar 2025, në kuadër të vizitës së saj të parë zyrtare në Mal të Zi dhe në Ballkanin Perëndimor.
Zyrtarja e lartë evropiane në takime të ndara ka biseduar ditën e parë, fillimisht me presidentin e shtetit, Jakov Millatoviq, me kryeministrin Millojko Spajiq dhe me kryeparlamentarin, Andrija Mandiq.
Në fjalën e saj drejtuar deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi, gjyqtarëve, prokurorëve dhe korit diplomatik, komisionerja Evropiane për Zgjerim ka theksuar se Mali i Zi ka mundësi historike që të bëhet anëtar i parë i radhës i Bashkimit Evropian.
Znj. Kos, ndër të tjera ka thënë se Mali i Zi është një histori suksesi evropian dhe se shteti po përputhet mjaftueshëm me politikën e jashtme evropiane dhe atë të sigurisë.
Ndërkohë, znj. Kos ka vënë në dukje se në vitin e kaluar gjatë negociatave të anëtarësimit, Mali i Zi ka mbyllur tre kapituj dhe se qëllimi është që, gjatë këtij viti, të mbyllen edhe kapituj të tjerë.
Në takimin e zhvilluar me presidentin Jakov Millatoviq, Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos ka theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të jetë projekt nacional, në të cilin do të jenë të përfshirë të gjithë
“Mali i Zi është histori suksesi dhe mandati im në fund të vitit të kaluar, filloi me mbylljen e tre kapitujve. Ju falënderoj për këtë”, është shprehur zyrtarja e lartë evropiane.
Znj. Kos ka theksuar se suksesi për këtë arritje ka ardhur si rezultat i punës së qeverisë, parlamentarëve, zyrtarëve publikë, por edhe i të gjithë të tjerëve.
Ajo duke iu drejtuar deputetëve, ka thënë se ata si përfaqësues të popullit, kanë përgjegjësi të veçantë që ta realizojnë dëshirën disavjetore të qytetarëve.
“Këtu jam që t’ ju mbështes në atë rrugë dhe llogaris te ju, që së bashku ta arrijmë qëllimin. Evropa është shtëpia ime dhe dëshiroj që kjo së shpejti të jetë edhe shtëpia jonë e përbashkët”, është shprehur në mes tjerash, znj. Kos.
Nga ana tjetër, kryeparlamentari Andrija Mandiq duke e falënderuar komisioneren Evropiane për Zgjerim për fjalët e bukura, ka theksuar se Mali i Zi është i përkushtuar në rrugën evropiane.
Kreu i Kuvendit ka shprehur keqardhje që një pjesë e opozitës nuk mori pjesë këtë seancë, duke theksuar se për rrugën drejt BE-së, është e rëndësishme që të gjithë akterët politikë të jenë të përkushtuar drejt atij qëllimi.
Ndërkaq, në takimin me kryeministrin Millojko Spajiq, komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos ka thënë se e inkurajon Malin e Zi që të punojë edhe më fort në qoftë se dëshiron që të mbyll deri në vitin 2026, kapitujt e negociatave.
Nga ana tjetër kryeministri Millojko Spajiq ka vlerësuar se vizita e komisioneres Evropiane për Zgjerim, paraqet një detyrim të madh për Malin e Zi që ai të punojë, edhe më fort.
Në takimin e zhvilluar me presidentin Jakov Millatoviq, komisionerja për Zgjerim, Marta Kos ka theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të jetë projekt nacional në të cilin do të jenë të përfshirë të gjithë.
Siç është njoftuar nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Presidentit Millatoviq, temë e diskutimeve me zyrtaren e lartë evropiane ka qenë rruga evropiane e Malit të Zi dhe sfidat aktuale në këtë rrugë.
Në ditën e dytë të vizitës së saj zyrtare në Mal të Zi, komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos ka vizituar edhe qytetin e Cetinës, ku ka bërë homazhe për trembëdhjetë viktimat e tragjedisë së 1 janarit 2025 në këtë qytet.
t. u.