Podgoricë – Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Z. Faik Nika i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, të mërkurën, u pritën nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Z. Skënder Durmishi dhe nga zyrtarë të tjerë të Ambasadës së Kosovës në Mal të Zi. Kryetari i KKSH-së, Z. Faik Nika gjatë këtij takimi, e informoi ambasadorin e Republikës së Kosovës, për mënyrën e funksionimit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, për çështje të rëndësishme, si dhe me problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Mal të Zi, në fushën e arsimit, kulturës, zhvillimit ekonomik, kuadrit ligjor në fuqi, etj.
Ndërkohë, në këtë takim është diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Mal të Zi dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, për realizimin e projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta.
Ndërkaq, kryetari i KKSH-së, Faik Nika, nga ky takim bëri të ditur se përfaqësuesit e KKSH-së me ndërmjetësimin e ambasadës së Kosovës, do të zhvillojnë vizita zyrtare në një sërë institucionesh të Republikës së Kosovës, me synim koordinimin e veprimeve për realizimin e disa aktiviteteve me rëndësi për shqiptarët në Mal të Zi. Ky ishte takimi i parë i kryetarit të KKSH-së, Z. Faik Nika me ambasadorin e Kosovës në Mal të Zi, qëkur ai u emërua në postin e kryetarit të këtij këshilli. t. u.
