Motivim dhe ndihmesë për shumë gjenerata nxënësish

Tuz – Në sallën e Kuvendit të Komunës së Tuzit, të martën (21 qershor 2023) u bë ndarja e bursave, përfitues të së cilës këtë vit ishin shtatëmbëdhjetë nxënësit më të mirë të Shkollës Fillore “Bashkimi” në Skorraq, të financuara nga humanisti, atdhetari, gazetari dhe publicisti me banim në SHBA, Gjekë Gjonlekaj.
Këshilltari i Zyrës për marrëdhënie me diasporën në Komunën e Tuzit, Mark Lucgjonaj u shpreh se që nga themelimi i komunës së pavaruar, ndarja e bursave nga Gjekë Gjonlekaj realizohet përmes Zyrës për marrëdhënie me diasporën. Ai njëkohësisht falënderoi z. Gjonlekaj me të cilin, siç tha, kanë realizuar një sërë projektesh të ndryshme në Malësi dhe në SHBA.
“Njëri ndër to dhe më i veçanti është ndarja e kompletit të librave të shkrimtarit Ismail Kadare të gjitha shkollave shqipe në Mal të Zi, sidomos në Malësi”, u shpreh Lucgjonaj.
Ai ka folur rreth jetës dhe veprimtarisë së Gjekë Gjonlekajt, si humanist disavjeçar, por edhe si ish-gazetar i Zërit të Amerikës për kontributin e tij ndër vite për çështje të ndryshme kombëtare.
“Gjeka njihet edhe si publikues i shumë librave të përzgjedhur të studimeve dhe letërsisë shqiptare, në veçanti botimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe shpërndarja e tij në SHBA deri në Harvard, është një prezantim i denjë i kulturës shqiptare anembanë. Për të folur për Gjekën, edhe sikur të flitej vetëm për njëzeteshtatë vitet e ndarjes së bursave në Malësi, do të ishte e mjaftueshme”, u shpreh ndër të tjera Lucgjonaj.
Ai e cilësoi z. Gjonlekaj si një zë nga mërgimi që mendon për fëmijët tanë, që i mbështet dhe i ndjek ata nga viti në vit.
“Mendoj se kjo duhet të na motivojë edhe ne që të jemi më punëtorë, më të vëmendshëm dhe që edhe ne të bëjmë ndonjë sakrificë për të ardhmen tonë”, u shpreh Lucgjonaj.
Drejtori i Shkollës Fillore “Bashkimi”- Skorraq, Prelë Gjolaj u shpreh i privilegjuar që si drejtor i këtij institucioni të shpreh mirënjohjen dhe respektin më të madh për humanistin dhe atdhetarin, Gjekë Gjonlekaj.
“Nuk është vetëm shkolla jonë që merr dhurata nga ai, por janë edhe shumë nxënës të tjerë që mësimin e ndjekin në gjuhën shqipe, por edhe në atë malazeze dhe në emër të kësaj shpreh mirënjohen dhe respektin më të madh, sepse simbolika është gjithmonë frymëzim që nxënësit tanë të dinë të respektojnë djersën e dikujt”, u shpreh Gjolaj.
Ndërkohë, në emër të grupit të nxënësve që përfituan bursat përshëndeti nxënësja e gjeneratës Martina Dushaj.
Ky është viti i katërt që z. Gjekë Gjonlekaj ndanë bursa për nxënësit në Malësi përmes Zyrës për marrëdhënie me diasporën të Komunës së Tuzit, ndërsa shuma totale e këtyre bursave sivjet është 1.500 dollarë amerikanë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat