Ulqini është komuna e parë në Mal të Zi që ka miratuar zyrtarisht Kartën për kohezionin shoqëror – një dokument strategjik me të cilin pushteti lokal dëshmon përkushtimin për ndërtimin e një shoqërie më të hapur dhe më të lidhur, të bazuar në barazi dhe respekt.
Nga zyra e kryetarit të Komunës së Ulqinit kanë deklaruar se ky vendim erdhi drejtpërdrejt nga komuniteti.
“Hartimit të Kartës i parapriu Dialogu lokal ‘Komuniteti nxit ndryshimet’, një proces gjithëpërfshirës në të cilin qytetaret dhe qytetarët e Ulqinit së bashku përcaktuan prioritetet dhe sfidat, por edhe idetë për zgjidhjen e tyre, me mbështetjen organizative të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe programit ‘Së bashku për të mirën e përbashkët’”, thuhet në deklaratë.
Pikërisht përmes këtyre metodave inovative të bashkëpunimit janë përcaktuar prioritetet që tani po institucionalizohen: nga lufta kundër diskriminimit dhe ndarjeve shoqërore, forcimi i përfshirjes dhe besimit midis qytetarëve dhe administratës lokale, shërbime më të qasshme, deri te krijimi i një qyteti më të sigurt, më të gjallë nga ana kulturore dhe të rregulluar në aspektin infrastrukturor.
Në deklaratë thuhet se Karta është shprehje e vullnetit tonë politik për të ndërtuar një komunitet të bazuar në besim, solidaritet dhe mundësi të barabarta për të gjithë.
“Dokumenti mbështetet në standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe përfshin masa konkrete që synojnë përmirësimin e shëndetësisë, arsimit, kulturës, infrastrukturës urbane, por edhe fuqizimin e dialogut ndërmjet komuniteteve, transparencën e institucioneve dhe aktivizmin qytetar”, thekson deklarata.
Karta tashmë po zbatohet në praktikë, përmes katër iniciativave qytetare të zhvilluara menjëherë pas Dialogut lokal. Ekipet e përkushtuara nga Ulqini iu përgjigjën sfidave kyçe të identifikuara nga bashkëqytetarët: nga mungesa e përmbajtjeve kulturore, infrastrukturës së paarritshme, deri te mungesa e besimit në institucione – me mbështetjen e UNDP-së dhe Komunës së Ulqinit.
Kështu lindi shfaqja “Teatri për Ndryshim”, një komedi interaktive dhe e angazhuar në gjuhën shqipe, që përmes humorit hap çështje serioze mbi normat gjinore, urbanizmin dhe largimin e të rinjve. Projekti “Mësojmë së bashku, rritemi së bashku” rikthen konceptin e shkollës në ambient të hapur në vendbanimin Katërkollë, ndërsa “Zemra e Ulqinit” ka adaptuar terrenet e lojërave për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke krijuar hapësira për përfshirje dhe lidhje ndërmjet gjeneratave. Iniciativa “Me shijet e Ulqinit”, përmes punëtorive të kuzhinës tradicionale, lidh brezat, fuqizon gratë dhe ruan trashëgiminë lokale.
Nga zyra e kryetarit të Komunës së Ulqinit kanë thënë se me miratimin e këtij dokumenti, Komuna e Ulqinit vendos një kuadër operacional që drejton veprimtarinë e administratës lokale, institucioneve publike, sektorit civil dhe qytetarëve drejt forcimit të besimit, përfshirjes dhe veprimit të përbashkët.
Ata po ashtu kanë bërë të ditur se Kartën në tërësi, si dhe më shumë informata për programin mund të gjenden në platformën www.opstedobro.me.
Programi “Së bashku për të mirën e përbashkët – Forcimi i besimit të qytetarëve dhe ndërtimi i komuniteteve të qëndrueshme” realizohet nga UNDP, UNICEF dhe UNESCO në partneritet me Qeverinë e Malit të Zi. Ai zbatohet në Ulqin, Tivar, Bijello Pole, Plevlë dhe Podgoricë, ndërsa financohet nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Paqes.
(Kohapress)
