Ulqin – Në mbledhjen e parë të seancës së dytë të rregullt të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, që është mbajtur të martën e kaluar (28 tetor 2025) këshilltarët kanë votuar për ribalancin e Buxhetit për vitin 2025, në vlerë 19 214 000 euro, si dhe për uljen e çmimit të ujit dhe kanalizimit për 25 për qind.
Pas diskutimeve, ribalanci i Buxhetit është votuar me 20 vota për, katër këshilltarë kanë qenë të përmbajtur dhe asnjë kundër.
Buxheti në vlerë mbi 19 milionë euro vlerësohet si më i larti në historinë e kësaj komune.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu ka thënë se është i kënaqur me realizimin e deritashëm të buxhetit që, sipas tij, do të kishte qenë edhe më i lartë sikur komuna të kishte marrë pëlqimin e ministrisë për rritjen e shërbimeve komunale.
Këshilltarët kanë votuar edhe uljen për 25 për qind të çmimit të ujit dhe kanalizimit, i cili ka qenë ndër më të lartit në Malin e Zi.
Për këtë pikë kanë votuar njëzëri këshilltarët e pozitës dhe opozitës, duke arsyetuar se bëhet fjalë për një vendim të rëndësishëm për qytetarët e komunës së Ulqinit.
Në ditët e ardhshme pritet të mbahet vazhdimi i kësaj seance, ku në rend dite janë edhe gjashtë pika.
(Kohapress)
