Në kuadër të Trilateralit të Adriatikut, të premten në Budva është mbajtur takimi i tretë i ministrave të punëve të jashtme të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Në takim kanë marrë pjesë ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, prof. dr. Srgjan Darmanoviq, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe njëherazi zëvendëskryemistrja e Kroacisë, Marija Pejçinoviq – Buriq.
Gjatë takimit tre ministrat e jashtëm u fokusuan në bilancin e Samitit të NATO-s në Bruksel, Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Londër në kuadrin e Procesit të Berlinit, përmirësimin e ndërlidhjes dhe transportit në rajon, si dhe nxitjes së bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe mbrojtjes së ambientit.
Duke vlerësuar politikën e dyerve të hapura të NATO-s, ministrat shprehën mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancë dhe vlerësuan marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës si dhe dialogun Kosovë-Serbi.
Një fokus i veçantë iu kushtua ecurisë dhe ndërveprimit për avancimin e projekteve me rëndësi strategjike si Korridori Adriatiko-Jonian dhe Gazsjellësi që do lidhë linjën Trans-Adriatike me Kroacinë nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës, por edhe bashkëpunimit në fushën e energjisë, turizmit dhe mjedisit.
Në përfundim të takimit, ministrat e jashtëm të të tre vendeve nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët, me të cilën ndër të tjera, definohet se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal, përmes shkëmbimit të përvojave, mbeten elemente kyçe në aspektin e integrimit të plotë rajonal në BE.
Pas Malit të Zi, kryesimin e takimeve të ministrave të punëve të jashtme të Trilateralit të Adriatikut e ka marrë Kroacia.
Trilaterali i Adriatikut është një platformë e krijuar me qëllim për t’u shërbyer përpjekjeve të përbashkëta për konsolidimin e bashkëpunimit në Evropën Adriatike, tashmë të shndërruar edhe në NATO-n Adriatike, dhe për një aksion të përbashkët në interes të një rajoni më të sigurt dhe më të ndërlidhur në të gjitha dimensionet. (Kohapress)
