Miratohen përfundimet që përcaktojnë parimet për investitorët potencialë

Ulqin – Në seancën e dytë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, e cila është mbajtur të premten (21 mars 2025), ku në rend dite ka qenë tenderi për dhënien me qira të plazheve në bregdetin e Ulqinit, me 24 vota të këshilltarëve të pranishëm janë miratuar njëzëri përfundimet ku përcaktohen parimet për projektet e ardhshme investuese në këtë komunë si dhe shprehet shqetësimi për menaxhimin e deritashëm të bregdetit nga Ndërmarrja Publike “Të Mirat Detare”.
Në përfundimet e miratuara thuhet se “Kuvendi i Komunës së Ulqinit shpreh mbështetjen e qartë për investimet që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të komunës”.
Në këtë kuadër, parimet që duhen të plotësojnë projektet e ardhshme investuese janë: qëndrueshmëria dhe zhvillimi afatgjatë, ruajtja e burimeve natyrore, transparenca dhe përfshirja, mbrojtja e strukturës demografike.
“Në bazë të këtyre parimeve, Kuvendi i Komunës së Ulqinit u bën thirrje të gjithë investitorëve të interesuar që projektet e tyre t’i përshtasin me këto parime dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të Komunës së Ulqinit”, thuhet në deklaratën për shtyp të Kuvendit të Komunës së Ulqinit.
Ndërsa në lidhje me veprimet e Qeverisë së Malit të Zi, Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Pronës Shtetërore dhe Ndërmarrjes Publike për Menaxhimin e të Mirave Detare gjatë miratimit të programit të objekteve të përkohshme në zonën e të mirave detare, caktimin e çmimeve të qirasë dhe procesin e dhënies me qira të plazheve dhe objekteve në këtë zonë, Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka vlerësuar se këto vendime kanë pasur pasoja për këtë komunë.
Për këtë arsye, Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka shprehur shqetësim serioz për mënyrën se si NP “Të Mirat Detare” ka menaxhuar pasurinë detare gjatë 30 viteve të fundit. Shqetësimin e vet Kuvendi i Komunës së Ulqinin e bazon në një sërë faktesh, si përqindja e territorit që përfshin brezi i të mirave detare në Ulqin dhe disproporcioni në raport me pjesën tjetër të Malit të Zi, taksat financiare dhe konkurrenca, nevojën për reformë në mënyrën e menaxhimit të zonës bregdetare dhe nevojën e procedimit të shpejtë dhe me prioritet nga Gjykata Kushtetuese të iniciativave të Kuvendit të Komunës së Ulqinit dhe qiramarrësve të plazheve.
Seanca e Kuvendit ishte paralajmëruar që të mbahet të enjten, por ajo është shtyrë për shkak të vizitës në Ulqin të kryeministrit të Malit të Zi, Millojko Spajiq, i cili i ka njoftuar kryetarin e Komunës së Ulqinit dhe përfaqësuesit e forcave politike në këtë qytet me planet për investim të kompanisë arabe “Eagle Hills” të miliarderit Muhamed Alabar.
Po ashtu, në këtë takim është bërë e ditur se investitori arab është i gatshëm të heqë dorë nga plazhet në bregdetin e Ulqinit, për të cilat ka fituar të drejtën t’i marrë me qira në tenderin që ka shkaktuar pakënaqësi te qiramarrësit e mëparshëm dhe te banorët vendas në Ulqin.
Të hënën, kryetarët e gjashtë komunave bregdetare, me ndihmën e grupit të deputetëve, i kanë dorëzuar Kuvendit të Malit të Zi iniciativën për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për të mirat detare, ku përcaktohet që zona bregdetare të menaxhohet nga qeverisjet vendore.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat