Miratohen një sërë propozim vendimesh

Guci – Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Gucisë, që u mbajt të premten, më 5 mars, në sallën e Komunës, u shqyrtuan dhe u miratuan pesë propozim vendime të këshillave dhe komisioneve të qeverisjes lokale.
Mbledhja është thirrur nga kryetari i Kuvendit të Komunës, Bujar Hasangjekaj, me kërkesë të kryetares së Komunës së Gucisë, Anella Çekiq, dhe në të ishin të pranishëm 25 këshilltarë prej gjithsej 30 sa numëron Kuvendi.
Në fillim të seancës është bërë verifikimi i mandatit të këshilltarit të ri të PDS-së, Iso Radonçiq, i cili zëvendësoi këshilltarin e deritashëm, Sherif Feratoviq, që për shkak të ekzistimit të konfliktit të interesit më parë dha dorëheqje nga posti i këshilltarit, si dhe është aprovuar procesverbali nga seanca e rregullt, e mbajtur më 29 dhjetor 2020. Pas miratimit të rendit të ditës siç është propozuar pa ndryshime dhe plotësime, me 24 vota “Për” dhe një të “Përmbajtur” është miratuar propozim vendimi për dhënien e pëlqimit paraprak kryetares së Komunës së Gucisë për blerjen e ndërtesës administrative me parcelën e tokës përkatëse që i takon Agro-kooperativës “Alo Hot”, e regjistruar në FP 109, KK Guci, në ngastrat kadastrale nr. 96/1 dhe 96/9, të cilin e argumentoi në fjalën e rastit vetë kryetarja Anella Çekiq.
Po ashtu, me 24 vota “Për” dhe një të “Përmbajtur” u shfuqizuan dy vendime të mëparshme të Komunës së Gucisë – Vendimi mbi rrugët lokale dhe të pakategorizuara, i datës 23 qershor 2017, dhe Vendimi mbi furnizimin e vendbanimeve me ujë të pijshëm dhe nevojave sanitare në territorin e Komunës së Gucisë.
Sekretarja e Sekretariatit për Planifikim Hapësinor, Pasuri dhe Mbrojtje të Mjedisit Jetësor, Havaja Prelvukaj, theksoi se shfuqizimi i vendimeve në fjalë kërkohet në bazë të shkresës së Ministrisë së Financave dhe Mirëqenies Sociale, e cila Komunës së Gucisë i ka kërkuar që ato t’i shpallë të pavlershme.
Kryetari i Komisionit Komunal për Zgjedhje dhe Emërime, Naser Radonçiq, i ka njoftuar të pranishmit në seancë se për shkak të ekzistimit të konfliktit të interesit, nga posti si anëtar i Këshillit Drejtues të Qendrës për Kulturë në Guci ka dhënë dorëheqje Këlmend Ahmetaj dhe në vend të tij është emëruar anëtari i ri Xhevat Gjonbalaj, nga posti i anëtarit të Këshillit për Parashtresa, Propozime dhe Mbikëqyrje Shoqërore, pas dorëheqjes paraprake është shkarkuar Sherif Feratoviq dhe në vend të tij është emëruar anëtari i ri Allen Gjurkoviq. Feratoviq pas dorëheqjes është shkarkuar po ashtu edhe nga funksioni i kryetarit të Komisionit për Veprimtari Shoqërore e në vend të tij kryetare e re është emëruar Samra Radonçiq.
Të tri vendimet në fjalë janë miratuar me shumicë votash të këshilltarëve të pozitës në qeverisjen lokale.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat