Miqësia me popullin rus është më e madhe se politika e agresionit

“Mali i Zi dhe Rusia janë krenarë për 311 vjet marrëdhënie diplomatike. Miqësia me popullin rus është më e madhe se politika, sepse ka politika të drejta dhe të gabuara.” Kështu ka komentuar të dielën, Ministria e Jashtme e Malit të Zi një deklaratë të ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i cili një ditë më parë, tha se “Bashkimi Evropian dhe NATO po përpiqen ta kthejnë Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në një instrument në lojën anti-ruse”.
Ministria e Punëve të Jashtme përmes një reagimi tha se populli rus do të ketë gjithmonë miq në Mal të Zi, por jo politikën e agresionit dhe ekspansionizmit tragjik.
“Mali i Zi dhe Rusia janë krenarë për 311 vjet marrëdhënie diplomatike. Miqësia me popullin rus është më e madhe se politika, sepse ka politika të drejta dhe të gabuara. Kjo është arsyeja pse Vladimir Visocki donte të ishte malazez. Populli rus do të ketë gjithmonë miq në Mal të Zi, por jo politikën e agresionit dhe ekspansionizmit tragjik. Politikanët rusë vinin në Mal të Zi dhe ishin të mirëpritur derisa ia kthyen shpinën Bashkimit Evropian dhe sistemit evropian të vlerave”, ka thënë kjo ministri.
Sipas një deklarate të z. Lavrov, dhënë mediave ruse, “Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut iu premtua hyrja në BE, por iu kërkua të anëtarësohen në NATO, t’i bashkohen sanksioneve dhe të mbajnë një qëndrim të hapur anti-rus”.
Duke komentuar këto pretendime, Ministria e Punëve të Jashtme thotë se “politika e agresionit ndaj kandidatit për anëtarësim në BE – popullit sllav ukrainas, tregon dëmshmërinë e politikës që e kthen viktimën dhe fituesin e Luftës së Dytë Botërore në agresor dhe humbës të luftës kundër Ukrainës, viktimë e agresionit”.
“Mali i Zi është krenar për arritjet e tij në agjendën evropiane dhe euroatlantike dhe do të vazhdojë të jetë një aleat i besueshëm”, përfundon reagimi i Ministrisë së Jashtme të Malit të Zi.

(a. s.)

Të fundit

më të lexuarat