Ministrja Vujoviq: Do të prishet çdo monument që nuk ka leje nga Ministria

Ministria e Kulturës dhe e Mediave kërkon nga organet shtetërore kompetente në Mal të Zi prishjen e monumentit të ngritur patriotit shqiptar Isuf Çelaj në fshatin Vuthaj të Gucisë.
Në një deklaratë për shtyp, ministrja e Kulturës dhe e Mediave, Dr. Tamara Vujoviq ka njoftuar se të premten, më 8 gusht 2025, ka vizituar vendin ku ndodhet ky monument, që sipas saj, është ngritur në mënyrë të paligjshme në vitin 2013, pa asnjë lloj lejeje nga kjo ministri.
Ajo ka thënë se do t’i urdhërojë inspektorët për trashëgimi kulturore të Ministrisë së Kulturës dhe Mediave që të dalin në terren, të konstatojnë gjendjen faktike dhe të veprojnë në bazë të kompetencave të tyre, në përputhje me Ligjin mbi Monumentet, si dhe t’i urdhërojnë organet ekzekutive që ta heqin këtë monument të ngritur në mënyrë të paligjshme.
“Një akt i tillë është i papranueshëm, si para ligjit ashtu edhe para së vërtetës historike. Isuf Kamer Çelaj ka qenë bashkëpunëtor i okupatorit. Dhe Mali i Zi nuk duhet të lejojë që në territorin e tij të mbijë asnjë shenjë që i lavdëron njerëzit që qëndruan pranë forcave që i sollën vuajtje, persekutim dhe gjak popullit tonë”, ka thënë ministrja Vujoviq.
Sipas saj, kultura dhe kujtesa e popullit nuk mund të ndërtohen mbi gënjeshtra, rishikim të historisë dhe glorifikim të atyre që qëndruan në anën e pushtuesve.
“Shteti duhet të jetë i qartë: ligji dhe e vërteta janë mbi çdo ideologji dhe çdo interes politik. Dhe kjo duhet të vlejë për të gjithë në mënyrë të barabartë”, ka deklaruar ministrja e Kulturës dhe e Mediave.
Lidhur me atë se pse shteti i ka toleruar me dekada këto veprime në komunat tjera, ministrja Vujoviq ka thënë se në këtë pyetje duhet të përgjigjen ata që kanë qenë në pushtet në atë kohë.
“Dhe për mua është e qartë se kjo është bërë për të provokuar reagimin e palës tjetër dhe të përçahet Mali i Zi. Pikërisht për këtë arsye, i japim fund kësaj praktike”, ka thënë ajo.
Ministrja e Kulturës dhe e Mediave ka përfunduar duke thënë se kjo ministri nuk do të ndalojë derisa çdo monument i ngritur pa pëlqimin e saj (Ministrisë) të mos hiqet.
“Në çdo komunë, pa përjashtim”, ka theksuar Vujoviq.
Deklarata e ministres së Kulturës dhe Medias vjen pas vendimit për prishjen e shtatores së ngritur komandantit çetnik Pavle Gjurishiq në fshatin Gornje Zaostro në Beran dhe zhvendosjes së saj nga organizatorët e ndërtimit në një kishë të Kishës Ortodokse Serbe.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat