Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, e ftuar nga homologu i saj malazez, Ranko Krivokapiq qëndroi të hënën në Podgoricë, ku folën për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe për rrugën e përbashkët drejt integrimeve europiane.
“Mali i Zi e njohu Kosovën dhe ne e konsiderojmë atë një nga vendimet e rëndësishme. Takimi i sotëm është rrjedhojë e kësaj, ku ne po kërkojmë rrugë të përbashkëta që do të na çojnë në Bashkimin Europian dhe në këtë kuadër Mali i Zi është një mik që dëshiron të ndihmojë Kosovën”, tha shefi i diplomacisë malazeze, Ranko Krivokapiq në konferencën e përbashkët me gazetarë në vilën Gorica.
Ministra e jashtme e Kosovës Donika Gërvalla Schwarz e falënderoi kolegun e saj për ndihmën që Mali i Zi në vazhdimësi i dha Kosovës , e sidomos në ditët e tyre më të errëta, me dëbimin e shqiptarëve nga Kosova gjatë luftës.
“Diskutuam edhe orientimin e Malit të Zi dhe Kosovës kur bëhet fjalë për një qëndrim të përbashkët ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë. Që në ditët e para, të dy vendet e dënuan agresionin dhe i dërguan mbështetje Ukrainës “, tha Schwarz.
Bashkëpunimi ynë, shton ajo, “është i jashtëzakonshëm si në nivel dypalësh ashtu edhe brenda institucioneve ndërkombëtare”.
“Dy vendet tona nuk kanë alternativë kur bëhet fjalë për BE-në dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë bashkëpunimin që e shohim në radhë të parë në kuadër të procesit të Berlinit. Diskutuam edhe për mundësitë e lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve. Ne nuk jemi vetëm dy vende fqinje, por edhe vende, marrëdhëniet e të cilave bazohen në miqësi të gjatë “, tha Schwarz.
Sa i përket rrugës së përbashkët drejt BE-së, shtoi ajo,” ata kanë shpjegime të qarta dhe janë të orientuar që t’i përmbahen qartë rrugës evropiane”.
Kjo është vizita e parë e ministres së Jashtme të Kosovës zonjës Gërvalla në Mal të Zi.
Mali i Zi është ndër vendet e para të rajonit që e njohu pavarësinë e Kosovës dhe se marrëdhëniet e tyre ishin në vazhdimësi të mira.
Vetëm çështja e demarkacionit të kufirit me Kosovën është e vetmja çështje që pala kosovare disa herë e ka potencuar duke pretenduar rishqyrtimin e tij.
Mirëpo, zyrtarët malazezë përsëriten se asnjë marrëveshje të ratifikuar nuk kthehet në rishqyrtim dhe se një gjë e tillë nuk do të ndodhë as në rastin me Kosovës.
Kosova dhe Mali i Zi e kanë nënshkruar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015.
(VOA)
Gërvalla në Ulqin: Po shqyrtojmë hapjen e një konsullate në Ulqin
Në kuadër të vizitës bilaterale të Ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Diasporës Donika Gervalla Shvarc në Mal të Zi, është organizuar edhe një vizitë në Komunën e Ulqinit, ku ka biseduar me kryetarin e komunës, Omer Bajraktari dhe bashkëpunëtorët e tij për promovimin dhe përmirësimin e të drejtat e shqiptarëve.
Donika Gervalla-Shvarc, e cila është edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, pas takimit me kryetarin e Komunës së Ulqinit deklaroi se Kosova ndihet përgjegjëse për promovimin dhe forcimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe në vendet e tjera të rajonit. Siç tha ajo, ata besojnë se bashkëpunimi i mirë dhe të drejtat e barabarta të shqiptarëve në vendet ku jetojnë kontribuojnë jo vetëm për komunat ku shqiptarët janë shumicë, por edhe për shtetet, stabilitetin politik dhe ekonomik dhe demokracinë në shtetet ku ata jetojnë.
“Pasi dëgjuam me vëmendje kërkesat e shqiptarëve dhe bisedat e shumta që patëm me përfaqësues të ndryshëm të Malit të Zi, i cili është fqinj mik i Kosovës, anëtar i NATO-s dhe një vend me përcaktim të qartë pro-evropian, besojmë se të gjitha kërkesat e shqiptarëve legjitimë në Mal të Zi mund të zgjidhen së bashku, jo vetëm në raport me Malin e Zi, por edhe me Bashkimin Evropian. Si dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë me shpresë që sa më shumë qytetarë, veçanërisht të rinjtë, të shohin të ardhmen e tyre këtu, e të mos kërkojnë diku tjetër perspektivë më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre”, tha Gërvalla Schwartz. Ajo theksoi se me ministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka biseduar për hapjen e një konsullate të përbashkët në Ulqin.
“Nëse kjo do të jetë një zyrë investimi, një zyrë ekonomike apo një zyrë që ofron bashkëpunim kulturor, arsimor, sportiv, mbetet për t’u parë dhe diskutuar me përfaqësuesit e shqiptarëve në Mal të Zi”, tha Gërvala Shvarc.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, takimin me ministren Gervalla Shvarc dhe delegacionin e ka vlerësuar si shumë konstruktiv dhe të rëndësishëm për Ulqinin dhe qytetarët e tij.
Gj. Gj.
