Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj ka njoftuar se Mali i Zi nuk ka qenë i përgatitur për sulme kibernetike të cilat kanë ndodhur vitin e kaluar në Mal të Zi, por që, siç ka thënë, duke iu falënderuar veprimeve të ekspertëve të Ministrisë së Administratës Publike, këto sulme nuk kanë arritur që të bëjnë shkatërrim afatgjatë dhe as të komprometojnë të dhënat e ekonomisë dhe të qytetarëve.
“Por, na bënë dëme të tmerrshme. Megjithatë, nga ky dëm do të mund të nxirrej një e mirë afatgjate. Sulmet kanë treguar të gjitha dobësitë tona sistematike”, është shprehur Dukaj.
Ai ka theksuar se Mali i Zi nuk ka pasur instrumente të rregulluara të mbikëqyrjes dhe të mbrojtjes, sistem normativ të rregulluar dhe as procedura të përpunuara të reagimit, të informimit dhe të mbrojtjes.
“Ajo çfarë në atë moment fatmirësisht kemi pasur, është mbështetja dhe ndihma e partnerëve tonë të NATO-s dhe të BE-së, për çfarë u jemi shumë falënderues. Tashmë një vit pas sulmit, jemi shumë afër qëllimit- hapësirë kibernetike e sigurt, e integruar dhe e rregulluar e Malit të Zi. Jemi të pasur me përvojën e çmuar, me ekspertë të shumtë, lidhemi institucionalisht dhe profesionalisht në shtetet e rajonit, jemi të aftë që të zbulojmë shpejt sulme të ngjashme, tashmë në një fazë të hershme dhe për të reaguar në kohën e duhur”, është shprehur Dukaj.
Ministri Dukaj, siç njofton Ministria e Administratës Publike, ka thënë se sot Mali i Zi ka themeluar Qendrën e Operimit të Sigurisë së Qeverisë (Goverment Security Operation Center) e cila mundëson mbrojtjen e infrastrukturës së informacionit 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë.
“Kemi ndërtuar një skuadër të veçantë e cila pa ndërprerje mbron infrastrukturën informative të shtetit. Kemi ndërtuar me aleatët brenda NATO-s dhe me partnerët në Bashkimin Evropian, bashkëpunim institucional në shkëmbimin e informacioneve dhe të përvojave, për ngritjen e shkallës së përgatitjes tonë për përgjigje adekuate ndaj sulmeve”, ka thënë Dukaj.
Ai më tutje ka bërë të ditur se me Francën dhe Slloveninë kanë filluar projektin e hapjes së Qendrës Rajonale për Luftën Kundër Sulmeve Kibernetike dhe Sigurinë Informatike në Mal të Zi.
“Kemi përgatitur Ligjin e Ri për Sigurinë e Informacionit me të cilin është parashikuar konstituim i shpejtë i Agjencisë për Sigurinë Kibernetike. Kemi hapur Akademinë Digjitale dhe i jemi qasur programit të Bashkimit Evropian- “Evropa Digjitale”. Po punojmë intensivisht në projektin e krijimit të Qendrës Shtetërore të të Dhënave. Kemi ngritur të ardhurat për ekspertët nga fusha e teknologjisë së informacionit të cilët punojnë në organet shtetërore”, ka njoftuar ndër të tjera ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj.
t. u.