Ministrat e partive shqiptare dhe boshnjake e lëshuan mbledhjen e Qeverisë së Malit të Zi

Ministrat e partive shqiptare dhe boshnjake janë larguar të enjten (19 shtator 2024) nga mbledhja e Qeverisë së Malit të Zi, në të cilën më pas është miratuar vendimi për ndërtimin e monumentit ish-mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe, Amfillohije Radoviq, në Beran.
Në mungesë të kryeministrit Millojko Spajiq, i cili ndodhej në Bruksel për një drekë pune me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbledhja është kryesuar nga zëvendëskryeministri i Qeverisë së Malit të Zi për siguri, mbrojtje, luftë kundër krimit dhe politikën e brendshme, Mr. Aleksa Beçiq, i cili është kryetar i Demokratëve.
Pikërisht Beçiq ka njoftuar edhe miratimin e vendimit nga Qeveria e Malit të Zi.
“Ashtu si dhe në rastin e miratimit të Ligjit të ri të drejtë për liritë fetare në Kuvendin e Malit të Zi, edhe këtë herë pata nderin të kryesoj seancën e Qeverisë së Malit të Zi, në të cilën u miratua propozimi i ministres së Kulturës dhe Medias, Dr. Tamara Vujoviq, dhe u mor vendimi për dhënien e pëlqimit për ndërtimin e monumentit të mitropolitit të Kishës Malazeze-Bregdetare, Amfillohije Radoviq”, ka deklaruar ai.
Ministrja e Kulturës dhe Medias, Tamara Vujoviq, i dërgoi të enjten propozimin Qeverisë së Malit të Zi për dhënien e pëlqimit për ndërtimin e monumentit të ish-mitropolitit të KOS-it në Mal të Zi. Më herët, Ministria e Kulturës dhe Medias nuk kishte dhënë mendim pozitiv lidhur me këtë iniciativë, për ç’gjë ministrja Vujoviq u ka kërkuar falje Kishës Ortodokse Serbe dhe qytetarëve.
Vendimi i Qeverisë së Malit të Zi ka ngjallur reagime të shumta të partive opozitare promalazeze, shoqatave të ndryshme dhe intelektualëve të njohur për qëndrimin e tyre pro pavarësisë së Malit të Zi. Ata e shohin vendimin të motivuar për qëllime politike në prag të zgjedhjeve lokale në Podgoricë dhe Kotorr.


Forumi Shqiptar: Arsyet e largimit, formale dhe thelbësore

Koalicioni “Forumi Shqiptar”, i cili është pjesë e Qeverisë së Malit të Zi, ka deklaruar se arsyet e largimit të ministrave të tij nga mbledhja e Qeverisë janë formale dhe thelbësore.
Si arsye formale Forumi Shqiptar ka theksuar faktin se materiali i dorëzuar për shqyrtim në Qeveri nuk i ka plotësuar kushtet pasi që ka qenë i paplotë dhe i parregullt, nuk ka përmbajtur atë që duhet të përmbajë një dokument që Qeveria e merr në shqyrtim.
Sipas Forumit Shqiptar nuk ka pasur dokument për shfuqizimin e Vendimit që përmendet si dhe materiali i ri nuk është shqyrtuar në komisionet parlamentare.
Ndërsa si arsye thelbësore, Forumi Shqiptar ka nënvizuar mbjelljen e urrejtjes nga Amfillohije Radoviq duke i quajtur me emra përçmues dhe fyes shqiptarët, boshnjakët dhe myslimanët, por edhe malazezët, të cilët nuk i njihte si komb.
“Ai shprehte dhe përhapte urrejtje ndaj Perëndimit dhe shteteve e shoqërive demokratike dhe ndaj fqinjëve tanë, si dhe përkrahte shtetet dhe regjimet më të prapambetura dhe retrograde. Ai është shprehur negativisht jo vetëm ndaj pakicave kombëtare, por edhe ndaj të gjitha pakicave të tjera. I ka lavdëruar kriminelët e dënuar të luftës dhe ka minimizuar krimet e tyre”, thekson reagimi i Forumit Shqiptar.
Përpos kësaj, Forumi Shqiptar thekson se propozimi është në kundërshtim edhe me marrëveshjen e firmosur për formimin e Qeverisë, sipas së cilës për çdo çështje për të cilën ka qëndrime të ndryshme, do të koordinohen me qëllim të arritjes së marrëveshjes.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat