Raportuesi i përhershëm i Parlamentit Evropian për Serbinë, eurodeputeti kroat Tonino Picula, ka kritikuar rrugëtimin e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian, duke bërë përgjegjës për këtë qeverinë aktuale dhe qeveritë e mëparshme pas ndërrimit të pushtetit në Malin e Zi, në zgjedhjet parlamentare më 30 gusht 2020.
Në një intervistë për të përditshmen “Pobjeda”, ai ka theksuar se Mali i Zi ka humbur një mundësi të artë për përparim për shkak të krizave të brendshme politike, mungesës së reformave dhe prirjeve revizioniste në skenën publike.
“Me çetnikë nuk ka hyrje në BE – qofshin ata të gjallë apo jo”, është një nga mesazhet më të qarta që Picula i ka drejtuar klasës politike në Mal të Zi, duke aluduar në tendencat për rehabilitimin e figurave të lidhura me krime lufte.
Ai i cilësoi këto veprime si “të dëmshme dhe të panevojshme”, të cilat nxisin patologji politike dhe irritojnë si fqinjët, ashtu edhe vetë qytetarët malazezë.
“Këto provokime nuk janë spontane dhe është e nevojshme që të gjitha forcat pro-evropiane në Mal të Zi të distancohen qartë nga to”, ka shtuar ai.
Duke komentuar mbi procesin e integrimit evropian të Malit të Zi, Picula ka thënë se vendi nuk ka përmbushur potencialin që kishte dhe se ritmi i afrimit me BE-në është shumë më i ngadaltë sesa ishte premtuar.
“Dikur flitej vetëm për Malin e Zi si lider në procesin e zgjerimit, tani po flitet për hyrje të përbashkët me Shqipërinë – një sinjal i qartë se vendi ka humbur ritmin”, deklaroi eurodeputeti.
Ai kritikoi gjithashtu faktin që Mali i Zi ka përthithur më pak fonde nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, për shkak të mosplotësimit të detyrimeve nga agjenda evropiane.
Raportuesi i PE-së për Serbinë është shprehur i shqetësuar për zhvillimet e fundit në këtë vend, sidomos për përshkallëzimin e dhunës dhe represionit ndaj protestuesve.
Ai ka thënë se Presidenti i Serbisë po përdor të gjitha mjetet, përfshirë edhe mediat dhe lëvizjet politike të rrezikshme, për të ruajtur kontrollin total.
“Skena politike në Serbi është gjithnjë e më toksike dhe përçarëse. Duhet të ketë zgjedhje të reja dhe të drejta – megjithëse në këtë atmosferë është vështirë të imagjinohet një proces i tillë i ndershëm”, ka vlerësuar ai.
(Kohapress)
