Ulqin – Organizatat joqeveritare “MogUl” dhe “Asociacioni Dr. Martin Schneider-Jacoby” i kanë dërguar iniciativë Agjencisë për Mbrojtjen e Natyrës dhe Mjedisit Jetësor, nga e cila kërkojnë që në përputhje me nenin 37 të Ligjit mbi mbrojtjen e natyrës të nxjerrë aktin për mbrojtjen preventive të Ullishtës së Ulqinit dhe Gjirit të Valdanosit, si dhe të përcaktojë masat, kushtet e mbrojtjes dhe afatin e mbrojtjes preventive.
Në arsyetimin e iniciativës thuhet se Ullishta e Ulqinit me Gjirin e Valdanosit janë të njohur në Malin e Zi si një tërësi ambientale, sipas vlerësimit me rreth 80 mijë trungje ulliri, disa prej të cilëve më të vjetër se 1800 vjeç, në bazë të analizave dendrokronologjike të Universitetit të Stambollit nga Turqia. Ndërsa në studimin e Fakultetit Bioteknik të Universitetit të Malit të Zi theksohet se “… në Gji me siguri mund të gjenden edhe trungje 2000 vjeçe”.
Në iniciativë përkujtohet se në bazë të nenit 2 të Ligjit për ullishtarinë të Malit të Zi, ullishtat përbëjnë të mirë me interes të përgjithshëm dhe gëzojnë mbrojtje të posaçme, kurse në paragrafin e dytë të këtij neni theksohet më tej: “Ullishta, ‘Ullishta e Valdanosit’ në Komunën e Ulqinit, ‘Ulliri i Moçëm’ në Komunën e Tivarit dhe ‘Ulliri i Madh’ në Komunën e Budvës gëzojnë mbrojtje në përputhje me programin e mbrojtjes së posaçme të ullishtës që e nxjerr Ministria, me propozim të institutucionit shkencor”.
Por sipas këtyre organizatave, instrumentet e deritanishme, siç janë ligjet, planet urbanistike dhe institucionet përgjegjëse, janë treguar të pamjaftueshme.
„Ullishta e Valdanosit është kërcënuar viteve të fundit nga ndërtimi enorm, gjë që sjell shkatërrimin e harmonisë natyrore dhe mjedisore të kësaj të mire, si atraksion kulturor, bujqësor dhe turistik të vendit tonë“, theksohet në iniciativë.
Dy organizatat theksojnë po ashtu se për Ullishtën e Ulqinit me Gjirin e Valdanosit ekzistojnë të dhëna të shumta ornitologjike dhe të tjera për biodiversitetin, që tregojnë se bëhet fjalë për vlera ekologjike të jashtëzakonshme të Gjirit, jo vetëm në zonën e ullishtës por edhe në pjesën nënujore.
„Për këtë arsye, kërkojmë që në një afat sa më të shkurtër të shqyrtoni këtë iniciativë, kurse Komunës së Ulqinit t’i tërhiqni vërejtjen mbi pasojat e dëmshme për shkak të dhënies së lejeve ndërtimore apo mbylljes së syve ndaj veprimeve joligjore në dëm të perlës së tërë bregdetit lindor të Detit Adriatik, nga Triesta deri në Karavasta“, thuhet në iniciativë.
Nga organizatat joqeveritare “MogUl” dhe “Asociacioni Dr. Martin Schneider-Jacoby” kanë bërë të ditur se urgjenca dërguar Agjencisë për Mbrojtjen e Natyrës dhe Mjedisit Jetësor është hapi i parë në fushatën për mbrojtjen e Ullishtës së Ulqinit dhe Gjirit të Valdanosit, për çka sipas tyre, janë pajtuar të gjitha subjektet politike të Komunës së Ulqinit, qoftë në Kuvendin e Komunës, tryeza të rrumbullakëta etj.
(Kohapress)
