Mbështetjepër projektete ndryshmezhvillimore

Ulqin – Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë, Xhudi Raizing Rajnke (Judy Rising Reinke), ka vizituar të premten (16 shkurt 2024) Komunën e Ulqinit, ku është pritur nga kryetari i saj, Omer Bajraktari.
Ai e ka njohur ambasadoren e SHBA-së me projektet dhe planet e Komunës së Ulqinit.
Bajraktari ka thënë se Komuna e Ulqinit historikisht ka marrëdhënie të shkëlqyera me Ambasadën e Amerikës në Mal të Zi dhe se për këtë do të punojnë edhe në të ardhmen.
“Kësaj i kontribuon nënshkrimi i marrëveshjes së binjakëzimit ndërmjet komunës së Ulqinit dhe Staten Island, si dhe komunikimi gjithnjë e më i shpeshtë me investitorë të besueshëm amerikanë të cilët janë të gatshëm të investojnë në Ulqin dhe Mal të Zi”, ka theksuar ai.
Kryetari i Komunës së Ulqinit ka treguar se gjatë takimit e kanë informuar ambasadoren Rajnke mbi gjendjen, investimet, reformat dhe rezultatet konkrete të vetëqeverisjes lokale.
“Po ashtu përmendëm investimet e natyrave të ndryshme në Komunën e Ulqinit dhe veçanërisht ato në infrastrukturën e qytetit dhe shkëlqesia e saj znj. Rising Reinke u shpreh që Komuna e Ulqinit është në një rrugë të duhur të bëhet një destinacion i mirënjohur dhe se ka mbështetjen e Ambasadës të Amerikës për projektet e ndryshme zhvillimore”, është shprehur Bajraktari.
Gjatë vizitës së saj në Ulqin, ambasadorja e SHBA-së është takuar edhe me përfaqësues të disa organizatave joqeveritare lokale si dhe ka vizituar shkollën fillore në Katërkollë, ku është takuar me vullnetarin e Korpusit të Paqes në Mal të Zi i cili punon në këtë shkollë, duke nënvizuar rëndësinë e vullnetarizmit dhe kontributin ndaj komunitetit lokal si dhe ka përgëzuar punën e këtyre vullnetarëve.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat