Mbështetje Ukrainës në luftë kundër Rusisë dhe anëtarësim në BE

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, kanë vizituar gjatë javës së kaluar Ukrainën. Ata kanë zhvilluar takime me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kryeministrin e këtij vendi Denys Shmyhal, si dhe kanë vizituar kryeqytetin Kiev dhe qytetet Borodianka e Irpin, të shkatërruar nga lufta ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kryeministrat Dritan Abazoviq dhe Edi Rama u shfaqen të rrethuar nga forca të shumta të sigurisë teksa vizituan qytetin Borodianka në afërsi të Kievit.
“Menjëherë pas mbërritjes sonë, vizituam qytetin e Borodiankas, një qytet i shkatërruar në fillim të pushtimit. Jemi dëshmitarë të shkatërrimit të shkaktuar nga lufta. Ne lutemi për paqe së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe u qëndrojmë pranë qytetarëve të Ukrainës”, thuhet në postimin e Abazoviqit në Twitter.
Në një postim tjetër në Twitter, kryeministrat e dy shteteve të Ballkanit shihen duke vizituar edhe qytetin Irpin.
“Ne vizituam qytetin Irpin, ku u shkatërruan 1100 familje. Shumica e qytetarëve u larguan nga shtëpitë e tyre, infrastruktura u rrënua… Ne simpatizojmë Ukrainën, për humbjen e shumë jetëve dhe vuajtjeve që po kalojnë prej muajsh. Paqja është e paçmueshme”, ka shkruar Abazoviq.
Përmes një deklarate të përbashkët, kryeministrat e Malit të Zi, Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, theksuan se e mbështesin Ukrainën në marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Në deklaratë thuhet se duhet të merren vendime politikisht të guximshme në samitin e ardhshëm të BE-së për të gjitha vendet tona në rrugën e tyre evropiane, për hir të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit”, thuhet në postimin e Abazoviqit në Twitter.
Ukraina ndodhet nën pushtimin e Rusisë qysh më 24 shkurt. Aktualisht, luftimet janë të përqendruara në pjesën lindore të këtij vendi.
Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin, duke e ndëshkuar Rusinë me sanksione të ashpra ekonomike dhe diplomatike. Ukrainën, ndërkaq, është duke e ndihmuar me armatim.
Presidenti i Ukrainës, Zelensky, ka mbajtur një fjalim para Kuvendit të Shqipërisë, më 3 maj. Duke folur përmes video-lidhjes, ai ka kërkuar nga Shqipëria që t’i mbyllë portet për anijet ruse dhe të kufizojë ardhjen e turistëve rusë.

(Kohapress/REL)

Të fundit

më të lexuarat