Tiranë – Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Komunën e Tuzit, do të organizojnë në Tuz Konferencën V Mbarëkombëtare të Arkivistikës.
Këtë e ka bërë të ditur të martën përmes një deklarate për shtyp, drejtoresha e Drejtorisë së Evidencës Qendrore dhe Komunikimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Elsa Saka.
Ajo ka deklaruar edhe qëllimin dhe tematikat e konferencës.
“Qëllimi i kësaj konference është të mbledhë ekspertët dhe studiuesit e arkivave të vendeve shqipfolëse dhe të arkivave të rajonit, të cilët diskutojnë çdo vit për problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionin e punës së arkivave në realitetet e sotme”, ka thënë Saka.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave iu ka bërë thirrje studiuesve, nëpunësve të institucioneve dhe të gjithë të interesuarve të kësaj fushe të marrin pjesë në konferencë me studime, ide dhe propozimet e tyre, si dhe të gjithë profileve të tjerë të arkivistëve, institucioneve që ruajnë apo atyre që ndërveprojnë me ruajtjen e kujtesës kolektive.
Afati i pranimit të abstrakteve është deri më datë 2 prill 2021, në gjuhët shqip dhe anglisht, dhe do të dërgohen në faqet zyrtare të Arkivit të Shqipërisë dhe Kosovës.
Ekspertët dhe studiuesit e fushës së arkivave nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut mblidhen së bashku çdo vit për të diskutuar për problematikat dhe metodologjinë e studimit në fushën e arkivave.
Konferenca të ngjashme janë organizuar në vitet e kaluara në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.
(Kohapress)
