Mbahet Forumi për vendosjen e partneritetit dhe trajnimi treditor

Rozhajë – Ministria për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës dhe Sekretariati teknik i përbashkët organizuan në Rozhajë ditën informuese – Forumin për vendosjen e partneritetit përmes projekteve.
Takimi është zhvilluar në kuadër të përgatitjeve për shpalljen e thirrjes së parë për dorëzimin e propozim projekteve në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar Mali i Zi – Kosovës 2014-2020.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë për Çështje Evropiane thuhet se në forum janë prezantuar qëllimet e Programit ndërkufitar Mali i Zi – Kosovë, parimet e partneritetit, përmbajtja e Udhëzimeve për dorëzuesit e propozim projekteve dhe Paketa e aplikimit, si dhe aktivitetet që do të organizohen në periudhën e ardhshme.
Pjesë kryesore e Forumit kanë qenë tri punëtori tematike, të organizuara në përputhje me prioritetet tematike specifike të programit, të cilat përfshijnë: Nxitjen e punësimit, mobilizimin e fuqisë punëtore dhe inkluzionin social dhe kulturor në të dy anët e kufirit; Mbrojtjen e mjedisit jetësor, nxitjen e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe zvogëlimit të tyre; Promovimin e turizmit dhe trashëgimisë kulturore dhe natyrore.
Në Forum kanë marrë pjesë më shumë se 70 aplikues potencialë nga Mali i Zi dhe Kosova, të cilët i kanë fituar të gjitha informacionet e nevojshme për mundësitë që ofrohen në kuadër të këtij programi.
Sipas organizatorëve, Forumi përbën një mundësi të mirë që përfaqësuesit e komunave, organizatave joqeveritare, institucioneve arsimore dhe organizatave të tjera të shkëmbejnë idetë e tyre për projektet dhe kontaktet, me qëllim të vendosjes së partneritetit para shpalljes së Thirrjes së parë për dorëzimin e propozim projekteve.
Në këtë kuadër, më 28 shkurt deri më 2 mars në Rozhajë është organizuar trajnimi treditor me temë “Menaxhimi i ciklit të projekteve”.
Gjatë muajit shkurt, Mali i Zi dhe Kosova kanë nënshkruar Marrëveshjen për bashkëpunim ndërkufitar mes dy shteteve në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar “IPA II 2014-2020”, në bazë të të cilit komunave që ndodhen në zonën kufitare do t’u ndahen mjete në vlerë prej 8.4 milionë euro.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat