Marrëveshje për heqjen e taksës së sigurimit të automjeteve

Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi, dr. Dritan Abazoviq, ka zhvilluar të premten një takim me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Samitit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që është mbajtur në Pallatin e Kancelarisë Federale në Vjenë, nën organizimin e Kancelarit austriak, Sebastian Kurz.
Dy palët janë pajtuar që të zhvillojnë politikë të mirëfilltë rajonale dhe si një hap i mirë informuan se do të hiqet taksa për sigurimin e automjeteve për hyrjen në të dy shtetet përkatëse.
Është parajmëruar se marrëveshja midis përfaqësuesve të Malit të Zi dhe Kosovës, në nivel të drejtorëve të Agjencive për Sigurim, do të firmoset sot në hotelin “Hilton” në Podgoricë.
Ata kanë vlerësuar se ky është edhe një hap më shumë për lehtësimin e procedurave për të gjithë pushuesit kosovarë që duan të kalojnë pushimet në bregdetin e Ulqinit dhe të Malit të Zi.
Ka mbi dy dekada që ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës aplikohen polisat e sigurimit, gjë që u ka shkaktuar miliona euro shqiptarëve nga Kosova dhe Mali i Zi gjatë vajtje-ardhjeve në Malin e Zi dhe Kosovë.
Në takim, të parin mes dy liderëve pas ndryshimeve që janë bërë në dy shtetet e Ballkanit, është folur edhe për të ardhmen e dy vendeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh.
Gjatë vizitës në Vjenë, Abazoviq ka zhvilluar takim dypalësh edhe me nënkryetarin e Qeverisë së Kosovës, Prof. as. Dr. Besnik Bislimi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat