Marrëveshja me Emiratet është e paligjshme dhe në kundërshtim me interesin shtetëror

Ulqin – Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, realizoi më 16 prill 2025 një vizitë zyrtare në Komunën e Ulqinit, ku u takua me kryetarin e Komunës, Genci Nimanbegu, si dhe me përfaqësues të të gjitha partive politike lokale.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth marrëveshjes së propozuar për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme, e cila është nënshkruar mes Qeverisë së Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Pas takimit, presidenti Millatoviq u shpreh qartë se qëndron në krah të qytetarëve të Ulqinit dhe i konsideron shqetësimet e tyre legjitime dhe të bazuara.
Ai vuri në dukje se kjo marrëveshje cenon thellësisht bazat ligjore dhe institucionale të shtetit, dhe për më tepër, është në kundërshtim me interesat kombëtare të Malit të Zi.
“Nuk është askush në Ulqin që është kundër investimeve. Megjithatë, çdo investim që vjen në Ulqin dhe në Mal të Zi duhet të jetë i bazuar në ligjet e Malit të Zi dhe në nevojat e qytetarëve”, theksoi Millatoviq, duke nënvizuar se marrëveshja me Emiratet anulon ligje kyçe të vendit, përfshirë Ligjin për pasurinë shtetërore, Ligjin për prokurimet publike dhe Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.
Presidenti e cilësoi vendimin e Qeverisë për ta dërguar marrëveshjen në Kuvend për votim si një veprim të nxituar dhe thellësisht jo serioz.
“Mendoj se kjo është tejet jo serioze, e papërgjegjshme, në kundërshtim me nevojat e komunitetit lokal dhe në kundërshtim me interesin shtetëror të Malit të Zi”, ka thënë ai.
Millatoviq ngriti gjithashtu dyshime serioze për përputhshmërinë e marrëveshjes me standardet dhe kornizën ligjore të Bashkimit Evropian, duke kujtuar se Mali i Zi ndodhet në një proces të ndjeshëm të integrimit evropian.
Ai bëri të ditur se i ka dërguar një letër Komesares për zgjerim të BE-së, ku ka kërkuar një opinion të qartë nëse kjo marrëveshje është në përputhje me legjislacionin evropian.
Në të njëjtën linjë me Presidentin e Malit të Zi, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, e falënderoi atë për vizitën dhe angazhimin e tij në mbrojtje të interesave të Ulqinit, duke e cilësuar atë si një akt të përgjegjshëm shtetëror.
Ai tha se qyteti i Ulqinit dhe përfaqësuesit politikë janë të unifikuar në qëndrimin e tyre kundër kësaj marrëveshjeje, të cilën e konsiderojnë të dëmshme dhe të rrezikshme për interesat lokale.
“Ne kemi shkëmbyer qëndrimet me të gjitha partitë dhe e kemi informuar presidentin”, ka thënë Nimanbegu.
Ai ka shtuar se Qeveria po injoron si përgjigjet institucionale, ashtu edhe reagimet publike të komunitetit të Ulqinit dhe, përkundër kësaj, po tenton të kalojë marrëveshjen në mënyrë të shpejtë dhe pa transparencë në Kuvend.
Presidenti Jakov Millatoviq e përmbylli deklaratën e tij duke u bërë thirrje deputetëve që të mos votojnë një marrëveshje të tillë pa u konsultuar më parë me institucionet relevante dhe pa pasur një qëndrim të qartë nga Komisioni Evropian.
“Kush nesër do të mund të ngrejë dorën në Kuvend për këtë punë të paligjshme, ai duhet të japë llogari para qytetarëve të Malit të Zi në kuptimin politik, dhe sinqerisht shpresoj edhe para institucioneve të Malit të Zi në kuptimin juridik dhe penal”, ka theksuar ai.
Sipas Presidentit, ajo që po ndodh është një “sundim i padrejtësisë dhe jo i drejtësisë”, dhe çdo veprim i mëtejshëm në këtë drejtim do të përbëjë një precedent të rrezikshëm për të ardhmen demokratike të vendit.
Ky zhvillim tregon për përplasjet e thella mes pushtetit qendror dhe komuniteteve lokale, si dhe për rëndësinë e respektimit të ligjit dhe interesave qytetare në proceset vendimmarrëse të vendit.

D. Teliqi

Nimanbegu: Çdo deputet që mbështet marrëveshjen qeveritare, armik i Ulqinit

Në një deklaratë të drejtpërdrejtë, Nimanbegu paralajmëroi se çdo deputet që do të mbështesë këtë ligj do të shihet si armik i interesave të Ulqinit.
“Kjo betejë tani ka filluar. Nesër, kushdo që të votojë për këtë propozim ligjor, do të pozicionohet si armik i Komunës së Ulqinit”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu deklaroi se ka kontaktuar të gjithë udhëheqësit e partive parlamentare në nivel shtetëror për të kërkuar sqarime mbi nxitimin për të miratuar marrëveshjen dhe ka kërkuar që secili të deklarohet mbi interesat që qëndrojnë pas kësaj nisme.

Të fundit

më të lexuarat