Podgoricë – Detyra më e rëndësishme e Qeverisë së Malit të Zi është që të japë rezultate nga agjenda evropiane dhe të përmbushë pritshmërinë e qytetarëve/eve në aspektin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, është ky konkluzioni nga takimi që kryeministri i sapozgjedhur i Malit të Zi, Millojko Spajiq, zhvilloi të martën e kaluar (31 tetor 2023) në Podgoricë, me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Nga Qeveria e Malit të Zi njoftohet se gjatë takimit me znj. Ursula von der Leyen, kryeministri Spajiq, ka theksuar se Mali i Zi ka një qeveri proevropiane dhe një shumicë politike stabile për të zbatuar reformat e nevojshme në të gjitha sferat. “Në kontekstin e plotësimit të kushteve për anëtarësim, bashkëbiseduesit kanë vlerësuar se aktivitete prioritare janë, emërimet në pushtetin gjyqësor të qeverisjes, fuqizimi i lirisë së mediave dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, njoftohet nga Zyra e Kryeministrit të Malit të Zi. Ndërkohë, në takim është folur për mbështetjen administrative të Bashkimit Evropian në lidhje me shfrytëzimin më të mirë të fondeve të BE-së, fuqizimin e infrastrukturës, lidhshmërinë e komunikacionit dhe qasjen e Malit të Zi në tregun unik evropian. “Kryeministri Spajiq ka falënderuar presidenten e Komisionit Evropian në mbështetjen e treguar, duke thëne se Unioni Evropian është partneri më i rëndësishëm ekonomik dhe gjeostrategjik i Qeverisë së 44-të dhe se prania më e madhe e Bashkimit Evropian në rajon, është parakusht për ndërtimin e rezistencës në ndikime të tjera”, theksohet në këtë njoftim. Në takim, të pranishëm kanë qenë edhe nënkryetari i qeverisë për siguri, politikë të brendshme dhe punë të jashtme evropiane, mr. Aleksa Beçiq, ministrja e punëve evropiane, Maida Gorçeviq, ministri i punëve të jashtme, dr. Filip Ivanoviq dhe ministri i energjetikës dhe minierave, prof. Dr. Sasha Mujoviq. Ndërkaq, znj. Von der Leyen në kuadër të vizitës së saj katër ditore në Ballkanin Perëndimor është takuar edhe me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
t. u.