Podgoricë – Strukturat shtetërore të informacionit të Qeverisë së Malit të Zi kanë përjetuar të premten një sulm të fuqishëm kibernetik, për të cilin Agjencia e Sigurisë së Malit të Zi (ANB) ka bërë përgjegjëse shërbimet ruse.
Sipas agjencisë, sulmi i së premtes ishte i parapërgatitur prej kohësh dhe se një sulm i të tilla përmasave ishte i paprecedent në shtetin ballkanik.
Kryeministri me mandat teknik, Dritan Abazoviq, ka konfirmuar se qeveria e Malit të Zi është sulmuar nga hakerat për herë të dytë në pesë ditë, duke i quajtur sulmet të motivuara politikisht.
“Në gjykimin tim modest, ky është një sulm i motivuar politikisht”, ka thënë Abazoviq, duke kujtuar edhe sulmin e mëparshëm kibernetik më 23 gusht pasi qeveria e tij u rrëzua pas mocionit të mosbesimit.
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ishte i pari që e bëri njoftimin mëngjesin e së premtes në llogarinë e tij në Twitter, kur deklaroi se Mali i Zi ishte i ekspozuar ndaj një serie të re sulmesh kibernetike mbi infrastrukturën informative të qeverisë.
“Objektivi kryesor është struktura e organeve shtetërore”, ka thënë Dukaj, duke shtuar se “aleatët janë informuar” për sulmet.
Lidhur me sulmet kibernetike, ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, dhe shefi i Ekipit operativ për luftimin e sulmeve kibernetike, Dushan Polloviq, kanë mbajtur të hënën një konferencë për shtyp.
Ministri Dukaj ka deklaruar se për shkak të reagimit në kohë të zyrtarëve të Ministrisë së Administratës Publike, u parandaluan pasojat e rënda të sulmit kibernetik ndaj Malit të Zi.
“Pres që në ditët në vijim të vendosim gradualisht shërbimet. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që këto aktivitete të mos rrezikojnë infrastrukturën kyçe, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe të durueshëm”, ka thënë ai.
Sipas ministrit Dukaj, “të dhënat personale të qytetarëve janë të mbrojtura, por është shumë e rëndësishme të ngritet ndërgjegjja dhe të edukohemi që sulmet kibernetike janë shumë të pranishme në çdo vend të botës”.
Ai ka thënë po ashtu se “gjëja më e rëndësishme është që sistemet kyçe të infrastrukturës shtetërore të mos dëmtohen përgjithmonë”.
Dukaj ka theksuar se nga këto sulme kibernetike ndaj Malit të Zi janë nxjerrë disa mësime.
“Pa investuar në sistemet e sigurisë kibernetike, këto lloj sulmesh mund të bëhen përditshmëria jonë. Ne nuk kemi investuar mjaftueshëm në këtë fushë. Ne do të propozojmë investime urgjente prioritare”, ka thënë ai.
Ministri i Administratës Publike ka premtuar se do të përgatisin një projektligj të ri për sigurinë e informacionit në përputhje me Programin e punës së Qeverisë së 43-të të Malit të Zi dhe se planifikojnë të formojmë një agjenci të specializuar të sigurisë kibernetike.
Mali i Zi nuk është i vetmi vend në rajon që po përballet me sfidën e sulmeve kibernetike. Më herët, edhe strukturat e informacionit të Qeverisë së Shqipërisë kanë pësuar sulm të ngjashëm kibernetik.
Zyrat e brendshme dhe prokuroria shtetërore kanë deklaruar se po hetojnë sulmet e deritanishme në infrastrukturën informative të Qeverisë së Malit të Zi.
(Kohapress)
