Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë, Judy Rising Reinke, ka thënë se Mali i Zi duhet të mbështesë sovranitetin e Kosovës në aspiratat e tij euroatlantike. Ajo ka shkruar në rrjetin shoqëror X (ish-Twitter) se Mali i Zi duhet të mbështesë sovranitetin e vendeve fqinje, duke vënë theksin posaçërisht te Kosova. Sipas saj, Malit të Zi i nevojitet një qeveri që dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë si dhe mbështet sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. “Në mënyrë që Mali i Zi të arrijë aspiratat euroatlantike, i nevojitet një qeveri që dënon agresionin e Rusisë, avokon për integritetin territorial të Ukrainës dhe mbështet sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, po ashtu të përforcojë pjesëmarrjen aktive në NATO, të mbrojë të drejtat e minoriteteve dhe të përkrahë sovranitetin e vendeve fqinje, përfshirë Kosovën”, ka shkruar ajo. Deklarata e ambasadores së SHBA-së vjen në një periudhë kur pritet formimi i Qeverisë së re të Malit të Zi, pjesë e së cilës mund të jenë edhe partitë proserbe të cilat herë pas here kanë bërë thirrje apo kanë ndërmarrë nisma për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi.
(Kohapress)