Mali i Zi do të jetë gjithmonë partner për nismat e mira

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dr. Dritan Abazoviq, ka thënë se Mali i Zi do të jetë gjithmonë partner për nismat e mira dhe se dëshiron të promovojë paqen, stabilitetin dhe progresin.
“Duhet të promovojmë demokracinë dhe vlerat universale. Në këtë mënyrë mund ta bëjmë botën vend më të mirë për të gjithë ne”, ka thënë ai në fjalimin e tij të premten në Sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Kryeministri i Malit të Zi ka thënë se Ballkani Perëndimor nuk duhet të jetë delja e zezë e Evropës.
Duke folur për politikën e jashtme të Malit të Zi, Abazoviq ka potencuar dy gjëra që, sipas tij, janë të rëndësishme.
“Ne jemi anëtar i NATO-s. Ky ka qenë një vendim shumë i mirë në vitin 2017. Tani në kohën e krizës, kur shohim se edhe vende siç janë Suedia dhe Finlanda i bashkëngjiten NATO-s, të gjithë në Malin e Zi e vërejnë se pse kjo ka qenë me rëndësi”, ka theksuar ai.
Ndërsa qëllimi i dytë, për të, është më i madh se anëtarësimi në NATO, e ky është që Mali i Zi të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Duam të jemi pjesë e familjes evropiane”, ka thënë kryeministri i Malit të Zi.
Abazoviqi ka thënë se udhëheqësit e korruptuar në Ballkanin Perëndimor nuk lejojnë ndryshime pozitive.
“Tani përpiqemi të krijojmë një shoqëri evropiane moderne, por kjo është e pamundur nëse akoma vuajmë problemet e drejtësisë së transicionit”, ka theksuar ai.
Kryeministri Abazoviq ka thënë se janë duke luftuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Kur luftoni kundër udhëheqësve të cilët janë të korruptuar dhe e përdorin këtë për të promovuar nacionalizmin dhe konfliktet në rajon, sepse duan ta mbajnë vendin në status quo. Atyre u përshtatet status quo-ja dhe nuk i lejojnë udhëheqësit e rinj të bëjnë ndryshime në shtet dhe rajon. Kjo është ajo kundër së cilës dëshirojmë të luftojmë”, ka deklaruar ai.
Abazoviq ka thënë se është shumë i kënaqur me rezultatet e arritura nga Qeveria e Malit të Zi në luftën kundër korrupsionit në periudhën e fundit.
“Përmes luftës kundër korrupsionit, luftojmë kundër nacionalizmit. Më pak korrupsion, më pak nacionalizëm. Më pak korrupsion, më pak tensione”, ka thënë ai.
Duke folur për luftën në Ukrainë, Abazoviq ka thënë se Mali i Zi qëndron krahas popullit ukrainas dhe fuqimisht e kundërshton agresionin dhe sulmin ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën. Këtë e bëjmë në mënyrë konstante. Agjenda jonë është që të përcjellim plotësisht politikën e jashtme të BE-së, përfshirë sanksionet kundër Federatës së Rusisë. Kjo nuk është çështje ekonomike. Kjo është çështje e parimeve. Kjo është çështje e standardeve”, ka deklaruar ai.
Abazoviq ka bërë një paralelizëm ndërmjet Malit të Zi dhe Nju Jorkut, duke thënë se është krenar për shoqërinë multikulturore dhe inkluzive në Malin e Zi.
“Është mirë ta shohësh këto ditë në Nju Jork këtë frymë. Duam të kemi një shoqëri të tillë”, ka theksuar ai.
Gjatë qëndrimt të tij në ShBA, kryeministri i Malit të Zi ka zhvilluar takime me personalitete të ndryshme të botës politike, ekonomike etj.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat