Mali i Zi dhe Shqipëria kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim të mirë

Kurtezi përcolli urimet më të mira për sukses gjatë mandatit të z. Krivokapiq në Qeveri, duke riafirmuar qëndrimin e qeverisë shqiptare për të zgjeruar dhe intensifikuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje, në dobi të progresit të gjithanshëm demokratik dhe përshpejtimit të agjendës së integrimit në sistemin e vlerave dhe standarteve evropiane.

Podgoricë – Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, z. Ridi Kurtezi zhvilloi një takim kortezie dhe njohës me kryeministrin e Malit të Zi, z. Zdravko Krivokapiq.
Në faqen zyrtare të Ambasadës së Shqipërisë në Mal të Zi theksohet se ambasadori Kurtezi përcolli urimet më të mira për sukses gjatë mandatit të z. Krivokapiq në Qeveri, duke riafirmuar qëndrimin e qeverisë shqiptare për të zgjeruar dhe intensifikuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje, në dobi të progresit të gjithanshëm demokratik dhe përshpejtimit të agjendës së integrimit në sistemin e vlerave dhe standarteve evropiane.
“Gjatë takimit ambasadori Kurtezi ka vleresuar se pakica shqiptare në Malin e Zi është një urë e qëndrueshme miqësie dhe një faktor i rëndësishëm paqeje, stabiliteti, zhvillimi dhe integrimi. Gjithashtu, pasi ka vlerësuar atë çfarë është realizuar deri më sot, Kurtezi ka inkurajuar kryeministrin Krivokapiq, për t’u angazhuar më tej në realizimin e të gjitha të drejtave të pakicës shqiptare në Mal të Zi të cilat burojnë nga legjislacioni vendas dhe ai ndërkombëtar.
Në anën tjetër, nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Qeverisë së Malit të Zi, njoftohet se kryeministri Krivokapiq ka konstatuar se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim të mirë, të cilat beson se do të jenë edhe më të mira në mandatin e qeverisë eksperte aktuale e cila në radhë të parë, siç ka thënë ai, është zëri i qytetarëve.
“Si projekte bazë të një interesi të përbashkët, kryeministri malazez ka veçuar magjistralen Adriatiko-Joniane, Gazsjellësin Adriatiko-Jonian, si dhe projektin i cili do ta bënte lumin Buna të lundrueshëm që do të lidhte Liqenin e Shkodrës me Detin Adriatik dhe që do të hapte mundësi të tjera favorizuese në interes ekonomik, si të Malit të Zi ashtu edhe të Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat