Plavë – Potencialet natyrore dhe turistike në territorin e Komunës së Plavës nga viti në vit tërheqin numër gjithnjë më të madh vizitorësh. Këtë e kanë vërtetuar në Organizatën Turistike në Plavë, duke theksuar se të dashuruarit në turizëm malor (alpin) dhe në natyrën e paprekur nga pranvera e hershme kanë filluar t’i vizitojnë majat atraktive dhe nxitëse të Bjeshkëve të Nëmuna.
“Sezoni turistik në Komunën e Plavës zyrtarisht ka filluar më 1 maj, me marshimin malor në vendin e quajtur “Trekëndësh” (Mal i Zi – Kosovë – Shqipëri) i cili këtë vit është mbajtur për të shtatën herë me radhë. Më pastaj është mbajtur manifestimi tradicional ndërshtetëror “Regata e Limit”, mu në vendin ku Lumi Lim fillon rrjedhën nga Liqeni i Plavës, ndërsa pak ditë më parë është bërë marshimi malor me emërtimin “Shpatijeve të Starcit”. Mirëpo, sezoni i turizmit në Bjeshkët e Nëmuna ka filluar shumë më herët ngase turistët kanë nisur të vijnë qysh në fillim të muajit prill. Gjithashtu në info qendrën tonë çdo ditë arrijnë kryesisht alpinistë, të cilët janë të interesuar për t’i vizituar ca maja të Bjeshkëve të Nëmuna. Ndër të interesuarit është numër i madh alpinistësh të cilët nisën shtegut “Majat e Ballkanit” apo e përshkojnë në kalim, qoftë të vijnë nga Kosova ose Shqipëria”, shprehet drejtori i OT të Plavës, Elldin Feratoviq. Ai në vazhdim theksoi se me arsye pret që në periudhën e ardhshme numri i turistëve të rritet.
“Parashohim që numri i vizitorëve nga dita në ditë të rritet, e tollovitë më të mëdha priten prej gjysmës së muajit korrik deri te mesi i muajit gusht kur numër i madh i bashkëqytetarëve tanë, të cilët punojnë dhe jetojnë në diasporë, vijnë në pushime verore. Ndoshta edhe në periudhën e kaluar numri i mysafirëve do ishte më i madh, por moti i lig sigurish ka ndikuar në këtë. Shpresojmë që moti gjatë muajit korrik dhe gusht do jetë më i volitshëm për të gjithë ata të cilët e vizitojnë Plavën me rrethinë dhe do të kenë rast të argëtohen e dëfrehen në ngjarjet dhe manifestimet e shumënumërta të cilat organizohen gjatë sezonit”, ka bërë me dije drejtori Feratoviq. Ai në vazhdim ka theksuar se me rritjen e numrit turistëve, rritet edhe nevoja për krijimin e kapaciteteve të reja vendstehuese.
“Kapacitetet me të cilat Plava disponon deri me tani kanë qenë të mjaftueshme për strehimin e turistëve të cilët kanë ardhur në qytetin tonë. Por, me rritjen e numrit të mysafirëve, rritet edhe nevoja për numër më të madh të shtretërve. Na gëzon fakti se për çdo vit një numër i caktuar i qytetarëve tanë depozitojnë mjete për ndërtimin e objekteve për akomodim të mysafirëve. Përveç numrit të caktuar të njësiteve strehuese në disa objekte hoteliere të cilët ofrojnë strehim, në rritje është numri i strehim-dhënësve privatë”, ka bërë me dije drejtori Feratoviq dhe më pas shtoi se “pritet që Plava në periudhën e ardhshme të pasurohet edhe me hotele të reja. Përveç një hoteli dhe ca moteleve, Plava nuk mund të lavdërohet me kapacitetet e strehimit të lartë. Megjithatë, na gëzon fakti se është në vazhdë rikonstruktimi i hotelit të dikurshëm “Liqeni i Plavës”, i cili gjendet mu në hyrje në Plavë, kurse në plan është ndërtimi i hotelit të ri në bregun e Liqenit të Plavës”, ka konfirmuar në fund drejtori i Organizatës Turistike të Plavës, Elldin Feratoviq.
Shaban Hasangjekaj