Ulqin – Disa dhjetëra qytetarë shqiptarë nga Ana e Malit kanë protestuar të dielën në lokalitetin arkeologjik në Shas kundër paralajmërimit të Mitropolisë Ortodokse Malazeze-Bregdetare për mbajtjen e liturgjisë dhe pagëzimin e Kishës së Shën Gjonit në Qytetin e Vjetër të Shasit.
Ata nuk kanë lejuar kalimin e Mitropolitit të kësaj kishe, Amfilohije Radoviq, duke i bllokuar rrugën në terrenin sportiv në hyrje të rrugës për në Qytetin e Vjetër të Shasit.
Banorët vendas dhe disa përfaqësues politikë në Kuvendin e Komunës së Ulqinit janë konfliktuar verbalisht dhe penguar fizikisht kalimin e Mitropolitit Radoviq, i cili me ndihmën e policisë e cila i ka larguar protestuesit, pas disa minutash, i shoqëruar nga truprojet e tij dhe besimtarët ortodoksë, ka arritur në vendin ku është mbajtur manifestimi.
Liturgjia ishte parashikuar të mbahej në Kishën e Shën Gjonit, por pasi që policia nuk ka dhënë leje për t’u mbajtur brenda këtij objekti fetar, ajo është mbajtur në afërsi të tij.
Forca të shumta policore, të përbëra nga Policia e Ulqinit dhe njësitë e ndërhyrjes së shpejtë, kanë siguruar manifestimin e organizuar nga Mitropolia Ortodokse Malazeze-Bregdetare. Drejtoria e Policisë ka njoftuar se tubimi ka kaluar pa incidente. (Kohapress)
