Kryetari i Forcës së Re Demokratike dhe deputeti i Listës Shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, Genci Nimanbegu, ka thënë se Ligji zgjedhor dhe mandatet e garantuara për përfaqësim në Kuvendin e Malit të Zi duhen të jenë prioritet i qeverisë së re, pjesë e së cilës pritet të jenë edhe partitë shqiptare.
Përndryshe, sipas tij, pa këto prioritete ajo do të jetë një qeveri që nuk do të ketë në plan të parë të drejtat e pakicave kombëtare, si qeveria aktuale në detyrë, e rrëzuar nga Kuvendi i Malit të Zi.
“Për ne si parti nuk janë prioritet funksionet në Qeveri, edhe pse sipas disa llogarive subjekteve shqiptare do t’u takonin tri ministri, por bazë për përkrahje është realizimi i synimeve tona programore. Këtë e kemi dëshmuar në mandatet e kaluara dhe jemi të gatshëm përsëri ta dëshmojmë në qeverinë e re”, ka deklaruar Nimanbegu në një postim në faqen e tij në rrjetin social Facebook.
Ai ka thënë se Forca e Re Demokratike e përkrahën Memorandumin e bashkëpunimit për qeverisje në nivel qendror, të propozuar nga Lëvizja Qytetare URA për të marrë mbështetjen e partive të pakicave kombëtare.
“Përkrahja për Memorandumin, që thjesht buron nga Kushtetuta dhe legjislacioni i Malit të Zi, është e nevojshme, sepse janë shkruar si parime proevropiane dhe pasi që vetë Memorandumi dëshmon se Qeveria eksperimentale ishte joevropiane pavarësisht se në të ishin të njëjtit aktorë politikë, por tani me role të ndryshme”, është shprehur Nimanbegu.
Sipas tij, shqiptarët si pakicë autoktone në Mal të Zi duhen që të jenë pjesë e këtij memorandumi, të kenë kërkesa të qarta dhe të realizueshme, në përputhje me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në këtë kuadër ai ka përmendur respektimin e barabartë të Ligjit për të mirat detare në tërë territorin e Malit të Zi, decentralizimin e pushtetit qendror dhe bartjen e kompetencave në nivel lokal me qëllim avancimin dhe përfaqësimin e drejtë të pakicave autoktone si në arsim, kulturë, planifikim urban e zhvillim ekonomik.
(Kohapress)
