Lektyra shkollore për dy shkollat e mesme në Ulqin

Ulqin – Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi ka vazhduar aksionin e dhurimit të librave për bibliotekat e shkollave në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Kryetari i KKSH-së, Genci Nimanbegu, i shoqëruar nga sekretari Faik Nika, kryetari i Komisionit për Arsim dhe Përdorim Zyrtar të Gjuhës Shqipe, Ismet Kallaba, dhe ndihmës-koordinatori i projektit Daut Ceka, u kanë dorëzuar të hënën Shkollës së Mesme “Vëllazërim Bashkim” dhe Gjimnazit Privat “Drita” donacionin e përbërë nga 45 tituj, me gjithsej 630 kopje, pjesa më e madhe e të cilave janë lektyra shkollore.
Drejtori i Shkollës së Mesme “Vëllazërim Bashkim”, Hysejn Katana, dhe ai i Gjimnazit Privat “Drita”, Fejzo Hoxhiq, i kanë falënderuar përfaqësuesit e KKSH-së për donacionin, duke e vlerësuar atë si shumë të dobishëm për zbutjen e mungesës së literaturës në gjuhën shqipe.
Aksioni i dhurimit të librave është zhvilluar në kuadër të projektit të cilin KKSH e realizon me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Nga KKSH kanë njoftuar se aksioni i dhurimit të librave do të vazhdojë ditët e ardhshme në shkollat e mesme në Malësi dhe Plavë.
Vitin e kaluar KKSH ka ndarë lektyra shkollore për bibliotekat e të gjitha shkollave fillore në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Pasurimi i bibliotekave shkollore me lektyra dhe literaturë tjetër të domosdoshme për nxënësit e shkollave në gjuhën shqipe është njëra ndër objektivat e KKSH-së në fushën e arsimit. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat