Larmishmëri aktivitetesh përgjatë dhjetë netëve

Një event i veçantë i cili u organizua për herë të parë në Komunën e Tuzit ishte ai i “Old Timer Fest Malësia” i cili zgjoi interesim dhe entuziazëm të madh për të shikua nga afër një kontingjent makinash të vjetra dhe klasike nga Malësia, Ulqini, Shqipëria dhe Kosova

Tuz – Komuna e Tuzit organizoi “Pazarin e Verës” një ngjarje që sipas organizatorëve synon t’i bashkojë dhe t’i argëtojë të gjithë qytetarët, nëpërmjet një larmishmërie të aktiviteteve të ndryshme.
Nata e parë “Mbrëmja e diasporës” e cila u mbajt më 17 gusht 2024 i është dedikuar bashkatdhetarëve tanë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
“Kjo mbrëmje ishte një shenjë falënderimi për lidhjen dhe kontributin e tyre të pandërprerë ndaj vendlindjes. Jemi krenarë që kemi mundësinë të mirëpresim të gjithë bashkatdhetarët tanë dhe vizitorët nga diaspora, duke u ofruar atyre një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse” shprehen nga Komuna e Tuzit.
Përveç kësaj mbrëmje, aktivitetet në kuadër të manifestimit “Pazari i Verës” kanë vazhduar çdo mbrëmje, për dhjetë ditë radhazi, me një program të pasur me aktivitete kulturore dhe artistike, ku muzika dhe mbrëmjet argëtuese kanë qenë në qendër të vëmendjes.
Ndërkaq, një event i veçantë i cili u organizua për herë të parë në Komunën e Tuzit ishte ai i “Old Timer Fest Malësia” i cili zgjoi interesim dhe entuziazëm të madh për të shikua nga afër një kontingjent makinash të vjetra dhe klasike nga Malësia, Ulqini, Shqipëria dhe Kosova.
“U shfaqën automjete historike, duke i dhënë një shije nostalgjie dhe elegance rrugëve të komunës sonë. Aktiviteti jo vetëm që pasuroi programin kulturor të verës në Malësi, por gjithashtu nxiti qytetarët të vizitojnë diçka që për herë të parë zhvillohet në komunën tonë” theksuan nga Komuna e Tuzit.
“Pazari i Verës” solli një atmosferë të ngrohtë dhe festive në Sheshin e ri të Tuzit.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat