Podgoricë – Kuvendi i Malit të Zi ka votuar të premten pro mocionit të mosbesimit duke e rrëzuar Qeverinë e kryeministrit Zdravko Krivokapiq.
Për shkarkimin kanë votuar 43 deputetë, kurse kundër kanë qenë 11 deputetë. Për rrëzimin e qeverisë kanë votuar të gjitha partitë opozitare – PDS, Socialdemokratët, PSD, Partia Boshnjake, dy deputetët e koalicioneve shqiptare, si dhe partitë e koalicionit të deritashëm Lëvizja Qytetare URA dhe Civis.
Mocioni i mosbesimit është iniciuar nga Lëvizja URA, udhëheqës i së cilës është zëvendëskryeministri i deritashëm Dritan Abazoviq, ndërsa është mbështetur edhe nga deputetët e opozitës.
Të hënën, Kuvendi i Malit të Zi ka votuar edhe për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Aleksa Beçiq. Për shkarkimin e tij kanë votuar 43 deputetë, kurse kundër kanë qenë 36 deputetë.
Më herët, të enjten dhe të premten, kanë dështuar dy iniciativat e kryeministrit Zdravko Krivokapiq për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviq dhe për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, pasi që nuk kanë marrë shumicën dhe nuk janë vendosur në rendin e ditës së Kuvendit të Malit të Zi.
Shkarkimi i qeverisë dhe i kryetarit të Kuvendit i hap rrugë zgjidhjes së krizës politike dhe procesit të bisedimeve për formimin e qeverisë së re, që pritet të jetë qeveri e pakicës, sipas modelit të propozuar nga Lëvizja Qytetare URA, me mbështetjen e PDS-së.
(Kohapress/REL)
