Kuvendi do ta rishqyrtojë

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ia ka kthyer Kuvendit për rishqyrtim Ligjin mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për punët e brendshme, të cilin Kuvendi i Malit të Zi e ka miratuar të premten, më 6 mars 2026.
Sipas tij, ky ligj nuk është në përputhje me aktin komunitar të Bashkimit Evropian, Kushtetutën e Malit të Zi në pjesën e të drejtave për mbrojtje dhe prezumimin e pafajësisë, nuk merr parasysh qëndrimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ofron disa zgjidhje kontradiktore etj.
Për këtë ligj kanë votuar 47 deputetë të koalicionit qeverisës, ndërsa 12 deputetë kanë qenë kundër. Ndërsa Ligji për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare është miratuar me votat e 47 deputetëve, ndërsa 10 kanë qenë kundër.
Ndryshimet dhe plotësimet e dy ligjeve janë kritikuar jo vetëm nga opozita, por edhe nga Komisioni Evropian, Shoqata e Juristëve të Malit të Zi dhe një numër i organizatave joqeveritare relevante në Malin e Zi që merren me të drejtat e njeriut.
Përkundër kësaj, ato janë miratuar me arsyetimin se janë kusht në procesin e përmbylljes së kapitujve për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Për shkak të mospajtimit me përmbajtjen e këtyre ligjeve, deputeti i Lëvizjes Evropa Tani, Miodrag Llakoviq ka dhënë dorëheqje nga kjo parti, duke bërë të ditur se në të ardhmen do të jetë deputet i pavarur në Kuvendin e Malit të Zi, kurse deputetët e Partisë Demokratike kanë deklaruar se do të japin dorëheqje nga pozitat kryesuese në komisionet parlamentare. Nga kjo parti kanë paralajmëruar po ashtu se do të iniciojnë procedurën e shqyrtimit të kushtetutshmërisë së dy ligjeve të përmendura në Gjykatën Kushtetuese.
Ndaj mosdekretimit të Ligjit mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për punët e brendshme nga Presidenti i Malit të Zi ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Sharanoviq, duke e cilësuar Millatoviqin si bllokues të çdo reforme thelbësore në sektorin e sigurisë.
Kjo nuk është hera e parë që Presidenti Jakov Millatoviq ia kthen në rishqyrtim Kuvendit të Malit të Zi ligjet e miratuara nga shumica qeverisëse.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat