Podgoricë – Avancimi i mëtejshëm i Malit të Zi në rrugën evropiane ka qenë temë e diskutimit në takimin e zhvilluar mes presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq me presidenten e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen e cila qëndroi të shtunën më 26 tetor 2024 për vizitë zyrtare njëditore në Mal të Zi, në kuadër të vizitës së saj rajonale në Ballkanin Perëndimor.
Presidenti Millatoviq, ka thënë se Mali i Zi është bisedë pozitive, edhe për Bashkimin Evropian, edhe për rajonin, për çfarë është në interes të dyanshëm dhe e domosdoshme përmbyllja me ritëm të shpejtë e kapitujve, pas marrjes së IBAR- it, në mënyrë që, siç ka thënë ai, shteti të përmbush qëllimin dhe të bëhet anëtarja e 28-të e BE-së, deri në vitin 2028.
“Deri në fund të vitit presim mbylljen e katër kapitujve negociues, por Mali i Zi duhet dhe mundet më mirë, në qoftë se dëshirojmë të plotësojmë qëllimin tonë, dhe deri në vitin 2026 të përmbyllim 30 kapitujt e mbetur. Nuk guxojmë të kënaqemi me rezultatet të cilat janë nën pritshmëritë, në radhë të parë të qytetarëve të shtetit tonë. Jam i bindur se anëtarësimi i shtetit tonë në BE do të ishte sinjal i rëndësishëm pozitiv edhe për shtetet e tjera kandidate” ka thënë presidenti Millatoviq, njoftohet ndër të tjera nga Zyra e Presidentit.
Zyrtarja e lartë evropiane ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin, Millojko Spajiq e cila pas takim me të, në konferencën e përbashkët për media, ka thënë se Mali i Zi ka arsye të mirë që të krenohet për atë çfarë është realizuar, dhe se deri në fund të vitit mund të përmbyllen katër kapituj në negociata me BE-në.
Zyrtarja e lartë evropiane është shprehur e impresionuar me shpejtësinë dhe kualitetin që Mali i Zi po avancon. Ajo gjatë konferencës për media ka shfaqur mbështetje të fuqishme ndaj Malit të Zi në rrugën e tij drejtë BE-së.
“Ne jemi krah jush, ju mbështesim sa mundemi. Kushtet për anëtarësim janë të qarta, por ekziston një progres i rëndësishëm i Malit të Zi që po shohim. I gjithë ky proces është i bazuar mbi merita, dhe jam e sigurt se do t’i realizoni synimet” është shprehur ndër të tjera Von Der Leyen. Ajo më tutje është shprehur se është i rëndësishëm fokusimi në prioritete thelbësore që të realizohet progresi kyç në rrugën evropiane.
“Kryeministri në mënyrë që qartë dhe precize i ka përshkruar prioritetet, në mënyrë që komisioni të mund të fokusohet, sepse para jush është një punë shumë e madhe”, është shprehur Von Der Leyen.
Pas përfundimit të konferencës së përbashkët për media, zyrtarja e lartë evropiane dhe kryeministri Spajiq, vizituan Qendrën Operative të Qeverisë për Sigurinë Kibernetike e cila është themeluar me mbështetje nga fondet e Bashkimit Evropian.
t. u.